Me rastin e 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë flamuri ynë kuq e zi u ngrit në New York. Kryebashkiaku i New York-ut, Eric Adams gjatë ceremonisë së ngritjes së flamurit vlerësoi komunitetin shqiptar atje dhe tha se nuk duhet të harrojnë kurrë vendin nga vijnë.
“Bukuria e vendit tonë, Amerikës, është që pranon këdo nga cili do vend që vjen, ndaj unë ju them që kurrë nuk duhet ta harroni kush jeni. Kurrë mos e braktisni kulturën tuaj. Vendi ku keni ardhur nuk e zëvendëson kurrë atdheun tuaj. Ne jemi krenarë që ngremë flamurin tuaj krah për krah. Ajo që na bën të mrekullueshëm është diversiteti. Kjo është arma jonë sekrete që na bën të jemi ata që jemi.”
Kryebashkiaku foli dhe për vlerat e komunitetit shqiptarë në New York.
“Ju besoni në atë që unë gjithashtu besoj. Në familje, në biznes, në sigurinë publike. Dhe treguesi për këtë janë gratë dhe burrat në të majtën time, shqiptarë që janë anëtarë të Departamentit të Policisë së qytetit të Nju Jorkut. Ata shërbejnë, mbrojnë, sigurojnë që qyteti ynë të jetë një vend i sigurt për të rritur fëmijë dhe familje të shëndetshme. 28 Nëntori është pavarësia juaj, por ne jemi gjithmonë krah njëri-tjetrit sepse kemi ne kemi nevojë për njëri-tjetrin.”
Adams nuk e ka fshehur asnjëherë simpatinë e tij për komunitetin shqiptar, të vendosur në një prej qyteteve më të mëdha në botë dhe çdo vit ka festuar edhe Pavarësinë mes shqiptarëve, madje vitin e shkaur ai tha se djali i tij ka vizituar Shqipërinë.
Klan News