112-vjetori i Pavarësisë nuk u festua vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe anembanë botës ku ka shqiptarë.
Për herë të parë, pas gati 3 dekadash, sheshi i famshëm Sintagma para parlamentit grek në Athinë u vesh kuqezi, teksa qindra emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi festuan Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane.
Shqiptarët mbanin në duar flamuj, të veshur me bluza kombëtare dhe duke kënduar këngë patriotike.
Dhjetëra të tjerë manifestuan nëpër rrugë duke u rënë borive e duke bërë simbolet kombëtare, teksa policia greke u kujdes për mbarëvajtjen e festimeve.
Festimet e shqiptarëve në qendër të Athinës tërhoqën vëmendje edhe të mediave kryesore greke.
Festime pati edhe në Angli, ku qindra qytetarë si çdo vit dolën nëpër rrugë duke festuar ditën e flamurit.
Një ceremoni e veçantë festive me rastin e 112-vjetorit të Pavarësisë u zhvillua edhe në Nju Jork, ku përshëndeti edhe kryebashkiaku Eric Adams.
Tv Klan