Kryeministri Sali Berisha ka hapur fushatën elektorale në Shijak e Kavajë, dy qytete të konsideruara si bastione të Partisë Demokratike. Gjatë fjalës së tij në Kavajë kreu i qeverisë e ka ftuar edhe njëherë kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të bashkisë dhe bëhet pjesë e garës elektorale, si lider i partisë opozitare më të madhe në vend.

Sali Berisha: “Opozita është në pikën e saj më të çoroditur se kurrë ndonjëherë. Ajo sot rend nëpër Shqipëri si njeriu pa kokë. Ndaj dhe unë dua t’i bëj thirrje zotit Edi Rama, lëshoje karrigen e bashkisë, shko dhe regjistrohu. Po të duash mbledhim parlamentin, ndryshojmë ligjin dhe dil në krye të garës elektorale, dil dhe priju anëtarëve dhe mbështetësve të tu, sepse kështu e do rregulli, se kështu e do burrnia, kështu e do pluralizmi, kështu e do Shqipëria, kështu e do demokracia. Mos u fshih pas karriges së bashkisë, se po turpëron vendin. Ndaj dhe urdhëro, deklaro që do të regjistrohesh të thërrasim parlamentin, të ndryshojmë ligjin dhe në këtë mënyrë dil në shesh.”

Për opozitën kryeministri foli edhe në Shijak, duke u fokusuar tek qëndrimet e saj në lidhje me procesin zgjedhor dhe pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime.

Sali Berisha: “Socialistët po bëjnë çmos për skenarët e tyre, por unë ju bëj thirrje ju, secili prej jush të marrë letërnjoftimin. Le t’ju lëmë atyre makthet dhe ankthet e disfatës. Qëkur kur nuk pranon t’i prish listës së partisë tënde dhe ngulesh në karrigen e kryetarit të bashkisë, t’i u fakton shqiptarëve se nuk do zgjedhje, por ti çdo gjë tjetër, por vetëm zgjedhjeve. Se kjo është një gjë e pashembullt në Europën demokratike.”

Po gjatë fjalës së tij në Shijak kreu i ekzekutivit tha se qeveria do të financojë çdo projekt të ardhur nga pushteti vendor, pa dallim të ngjyrave partiake, duke i bërë këtë premtim kryetares së bashkisë së Shijakut, e zgjedhur me votat e socialistëve.

Sali Berisha: “Kemi pasur një problem nuk na janë sjellë projektet. Unё i them zonjёs suaj kryetare, zonja kryetare sill projektet dhe unë të jap fjalën brenda mandatit tënd socialist, jo më falni, do më dëgjoni këtu, unë ja ku jap fjalën para gjithë këtyre burrave dhe grave këtu, se brenda mandatit të saj nuk do të lëmë pëllëmbë rrugë pa  asfaltuar në këtë qytet.”

Kryeministri Berisha është ndalur edhe në investimet e bëra në qytetin e Shijakut. Sipas tij vetëm në këtë qytet janë investuar 1.146 miliard lekë në katër vjet. Janë shtruar tërësisht rrugët në komunën Xhafzotaj dhe po asfaltohen tërësisht dhe rrugët e Katundit të ri.

Sali Berisha: “Nё 4 vitet qё vijnë,4 herë mё shumё do të ecim përpjetë sё bashku nё rrugёt qё meritojmë. Nё 4 vitet që vijnë, ky vend kap nivele zhvillimi, tё cilat, absolutisht, syri dhe mendja jonё sot nuk i kap dot. Janë për të filluar gjatё muajve qё vijnё, deri në fund të vitit 104 hidrocentrale tё reja, ndër tё cilat projekti mё i madh nё Europё, kaskada e Devollit. Janё pёr t’u filluar porte, ndër më tё mёdhatё nё Mesdhe”…/tvklan.al

Gazetar: Eno Luarasi