Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Partia Demokratike pritet të marrë vendime ekstreme politike nëse Parlamenti do të hedhë poshtë kërkesën e tyre për hetimin e kryebashkiakut të Tiranës Edi Rama. Behet fjalë për braktisjen e Parlamentit nga forca më e madhe e opozitës, në shenjë proteste ndaj asaj që ata aktualisht cilësohet prej tyre, shkelje e rëndë kushtetuese nga socialistët.

Ky vendim nuk është bërë ende zyrtar, pasi opozitarët do të presin të hënën e ardhshme kur byroja parlamentare, të mblidhet për të vendosur përfundimisht, nëse do të pranojnë si të ligjshme kërkesën e demokratëve për ngritjen e komisionit hetimor ndaj kryebashkiakut të Tiranës, me të cilin ata shpresojnë të zbulojnë shkeljet financiare, që sipas tyre ka bërë zoti Edi Rama që nga koha që ishte Ministër i Kulturës.

Burimet nga selia blu pohuan, se nga PD nuk do të ketë asnjë tërheqje për këtë çështje dhe kërcënuan me bojkotim të Parlamentit, në rast se socialistët nuk zbatojnë Kushtetutën, duke parashikuar dhe një krizë politike me këtë lëvizje të papritur, drejtuesit e opozitës pritet të takohen me zyrtarët më të lartë të institucioneve euopiane në Tiranë.

Kërcënimi për largimin nga Parlamenti, vjen pothuajse në të njëjtën kohë PD theu bojkotin dhe më 30 Janar të vitit të kaluar hyri në Parlament, pasi denoncoi të manipuluara zgjedhjet e përgjithshme të 24 Qershorit 2001./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço