“Zbatimi të nisë nga pasuria e Agron Xhafajt”
Partia Demokratike e cilëson të dështuar Operacionin Forca e Ligjit, pasi sipas saj, gjatë qeverisjes së Edi Ramës nuk u prek dhe nuk u sekuestrua pasuria e asnjë trafikanti droge të lidhur me pushtetin.
Nënkryetari i demokratëve Edi Paloka thotë se rasti më flagrant i dështimit të këtij aksioni është ai i vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Selia blu e fton Kryeministrin që ta nisë zbatimin e ligjit anti-KÇK nga pasuria e Agron Xhafajt, i dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge.
Sipas Palokës, kreu i qeverisë dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë duhet të përgjigjen brenda 48 orëve nëse e ka përfshirë policia Agron Xhafajn në listën e personave që do t’u verifikohet pasuria.
Demokratët kërkojnë gjithashtu sqarime se kush e pengon policinë të zbatojë ligjin për ish-ministrin e Brendshëm Tahiri, si dhe bashkëpunëtorët trafikantë, sipas tyre, të deputetëve dhe familjarëve të Kryeministrit.
Tv Klan