Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Qeveria shqiptare dhe Ministri i Finanacave Kastriot Islami, kanë mashtruar FMN, për drejtorin e përgjithshëm të doganave Ferdinand Papadhima. Akuza e rëndë i është drejtuar instancave më të larta të kabinetit të kryeministrit Nano, jo vetëm nga opozita, por edhe nga media. Në shtypin e ditës janë publikuar dokumente që tregojnë se si është dënuar 8 vjet më parë për kontrabandë cigaresh zoti Papadhima. Këto dokumente i dispono edhe PD që nuk ka nguruar të tregojë ato para kamerave.
Edi Paloka:- “Sipas dosjes hetimore numër 1651/1. Një nga dokumentet e dosjes është ky që kam unë këtu, të firmosur nga hetuesi Xhevat Hana dhe të miratuar nga Prokurori i Tiranës, rezulton se Ferdinand Papadhima është arrestuar në Janar të 94, në flagrancë për ushtrim kontrabande dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe pas këtij arrestimi ka qëndruar në burg për disa muaj. Të gjitha këto fakte dhe dokumente, vërtetojnë qartë se letra e qeverisë shqiptare drejtuar FMN-së për këtë çështje është vetëm një mashtrim i turpshëm”.
Ky skandal financiar u publikua vetëm pasi Ministri i Financave Kastriot Islami i dërgoni një letër FMN-së, pasi ky institucion, kishte shtyrë për herë të dytë nënshkrimin e marrëveshjes me Shqipërinë për shkak siç thuhet, emërimet e reja të papërshtatshme të kryeministrit Nnao.
Bëhej fjalë për emërimin e Papadhimës ish-shefit të kabinetit të Ministrit të Bujqësisë, në krye të doganave dhe që pas ministrit Islami, çdo gjë e thënë kundër tij ishte shpifje. Por mesa duket demokratët nuk do të impresionohen nga ky qëndrim i Ministrit të Financave dhe i qeverisë shqiptare. Ata kanë njoftuar se do t’i dorëzojnë dokumentet që vërtetojnë mashtrimin qeveritar tek FMN dhe institucionet e tjera ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço