Erla Mëhilli: “Sërish shoku Rama doli në bahçe i shfazuar dhe me një ezauriment mendor sa tragjik aq edhe komik, duke ripërsëritur dhe fobinë e tij të fundit të sindromit të krijuar nga humbja e zgjedhjeve. Pasi akuzoi me dhjetëra e dhjetëra herë komisionerët socialist të të gjithë niveleve për mungesë integriteti dhe pasi akuzoi mediat për breshëri sulmesh ndaj tij tani ka disa ditë rresht që merret me të burgosurit të cilët u lejuan të shkojnë me leje në shtëpitë e tyre në përputhje me një praktikë të të gjitha vendeve demokratike. Sërish i përsërisim zotit Rama se të burgosurit janë lejuar dhe do të lejohen të shkojnë në shtëpitë e tyre në zbatim të një rregulli që ekziston në çdo vend të lirë. Zoti Rama pati sot shansin të paraqiste edhe qoftë provën më të vogël, të ndërhyrjes apo të implikimit të tyre në procesin zgjedhor, por nuk e bëri. E përsërisim që i vetmi rast i evidentuar është ai i Emiljano Keçit i cili sapo u lirua me leje u shndërrua në bodyguardin e armatosur të Blendi Klosit, gjë që detyroi organet e policisë ta ndalojnë atë dhe ta rikthejnë në institucionet e vuajtjes së dënimit. Nëse zoti Rama disponon qoftë edhe faktin më të vogël, jo lista, por fakte është i ftuar ta bëjë atë publik, por të sulmojë qytetarët e këtij vendi vetëm se ata janë të burgosur, e tu atribuojë atyre akuza pa faktuar shkelje ligji, dëshmon vetëm se nga frika, tmerri dhe paniku nuk di se çfarë flet.”/tvklan.al