Zvarritja e procesit për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Maqedonisë dhe Kosovës po nxjerr në sipërfaqe një aleancë të re mes Beogradit dhe Shkupit.

Kështu ka akuzuar Partia Demokratike Shqiptare në Opozitë, duke reaguar ndaj qëndrimit të presidentit të Maqedonisë, Georgi Ivanov, se raportet diplomatike mes dy vendeve do të vendosen pasi të shënohet edhe milimetri i fundit i kufirit.

Abdylhadi Veseli: “Zvarritja e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën ka nxjerrë në sipërfaqe një aleancë të re me Beogradin ku pikërisht në mënyrë të turpshme dhe të pamerituar Prishtina po mbahet peng për hir të Beogradit. Kërkojmë që sa më shpejt të vendoset marrëdhëniet diplomatike mes Maqedonisë dhe Kosovës dhe të mos zvarritet më kjo çështje.”

Deputeti i Bashkimit demokratik për Integrim, Xhevat Ademi, thotë se vendosja e raporteve diplomatike me vende tjera nuk është në ingerenca të presidentit të shtetit.

Ai thotë se qeveria është duke punuar në drejtim të vendosjes së raporteve diplomatike.

Xhevat Ademi: “Dua të rikujtoj që vënia e marrëdhënieve diplomatike mes shteteve sipas kushtetutës së Maqedonisë është në kompetenca ekskluzive të qeverisë, kështu që prononcimet e kabinetit të kryetarit të shtetit mund të jenë për efekte politike ditore pa ndonjë ndikim të veçantë.”

Sipas zëdhënësit të Demokracisë së Re, Arjanit Hoxha, thotë se nuk duhet harruar fakti se Kosova është shteti prej të cilit Maqedonia më së tepërmi realizon benefite ekonomike.

Arjanit Hoxha: “Unë do doja edhe një herë të rikujtoj presidentin Georgi Ivanov se ai duhet të tregohu dhe të dëshmojë se është presidenti i gjithë republikës së Maqedonisë dhe ai duhet ta dijë se në republikën e Maqedonisë jetojnë mbi 1/3 e popullatës që janë shqiptar dhe lidhjet me Kosovën janë qoftë në aspektin, familjar, ekonomik apo benefite të ndryshme dhe benefiti më i madh që Maqedonia a edhe në ekonominë e jashtme është pikërisht me republikën e Kosovës.”

Vendosja e raporteve diplomatike mes Kosovës dhe Maqedonisë po vonohet gati dhjetë muaj edhe pse më 17 Nëntor të vitit të kaluar Maqedonia pranoi Kosovën si shtet të pavarur.

Në Qeverinë e Maqedonisë thonë se vendosja e raporteve diplomatike është çështje teknike e cila do të zgjidhet në momentin e duhur.

Nga Shkupi për Tv Klan, Isen Saliu./tvklan.al