Pekini ka treguar gatishmërinë e tij për të pritur më së miri lojërat olimpike që do të fillojnë më 8 gusht. Godinat që do të presin garat kanë një pamje madhështore nga lart. Pekini ka 31 qendra nga të cilat 16 të reja, 8 të përkohshme dhe 13 ekzistuese.

Kryeqendra e Kinës do të ketë në ndihmë edhe 6 qytete të tjera ku do të organizohen garat e olimpiadës së 29 verore. Autoritetet vendase kanë realizuar xhirimet e para nga lart të ngrehinave olimpike ku bie në sy stadiumi gjigand i kujtuar në mënyrë simbolike  “Çerdhja e zogut”.

Kapaciteti i tij është 90 mijë vende i ngritur në një skelet çeliku. Ndërtimi i stadiumit ka nisur më 24 dhjetor të 2003 dhe testet e para janë kryer më 18 prill të këtij viti. Aty do të mbahet ceremonia e hapjes dhe e mbylljes dhe pjesa dërrmuese e garave atletike.

Një projekt interesant është edhe qendra kombëtare e sporteve të ujit. Me një kapacitetet 6000 vendesh, për të cilin u deshën më tepër se 4 vjet për të përfunduar. Kina për të mirëpritur lojërat olimpike ka shpenzuar mbi 40 miliard dollar  me infrastrukturë rrugore, masa sigurie dhe ndërtesa sportive. /tvklan.al

Gazetar: Endrit Sauku