Nisur nga përplasja mes Tiri Gjocit dhe Andi Vrapit në post “Kënga Magjike” për sistemin e pikëve, mosvlerësimin e tyre dhe fjalët mes artistëve se fituesi është i paracaktuar, Ardit Gjebrea mori fjalën për të qartësuar të gjitha palët.

 Drejtuesi i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan dhe producenti i festivalit magjik, shpjegoi për herë të parë sekretin e sistemit të votimit. Në thelb, sistemi ka një parim të thjeshtë: artistët janë juria e madhe dhe e vërtetë e festivalit. Duke pasur vetë ata në dorë pjesën dhe peshën më të madhe të pikëve, kjo nxjerr në pah artistët e vërtetë.

Ardit Gjebrea: Për sa i përket kësaj që sapo tha Andi, gjithmonë edhe shkruhet, edhe spekulohet, vetëm një gjë duhet të keni parasysh: sistemi i votimit që ju të gjithë po merreni pse më dhe mua zero, gjithmonë shijet janë subjektive dhe këtë gjë nuk e them unë, por e thonë të gjithë. Askush nuk mund të thotë pse ti kështu dhe pse ti ashtu? Çfarë bën ky sistem votimi dhe cili është sekreti i këtij sistemi që po e them sot për herë të parë. Çfarë ndodh me Festivalin Europian të Këngës? Aty votohen vetëm 10 këngë dhe marrin pjesë 42 dhe një natë janë 26 këngë, në natën tjetër, natën finale dhe bëhet votimi i këngëve. Në “Këngën Magjike”, fillimisht më kujtohet njëherë kur ka fituar në një festival Ema Bytyçi, kanë qenë vetëm 17 këngëtarë në natën finale, kanë votuar, u kam dhënë unë nga 10 mundësi pikë për të votuar, asgjë sepse doja të imitoja Festivalin Europian, pastaj thashë jo. Në llogaritjet matematikore, sa më shumë mundësi dhe sa më shumë pikë që ti t’u japësh artistëve, aq më shumë ka shanse të dalin artistët e vërtetë të klasifikuar në këtë mënyrë,mund të lëvizin shumë pak, por më besoni për një gjë, ju mos u merrni me gjërat e vogla, merruni pak me gjënë e madhe. “Është i paracaktuar fituesi”. Si? “Po se flitet”. Mua vetë kam tre raste që kam dashur të tërhiqeshin nga festivali se “është i paracaktuar fituesi”. Kush?  Dhe vinin emrat. Po si, a do të votoni ju për njëri-tjetrin se ju jeni juria? Pra edhe njëherë nguleni në mendje këtë gjë.

Gjebrea adresoi edhe ankesat e dikurshme që duhej të merrte një juri, çka ndodhi në edicione të mëvonshme të festivalit. Më pas u kërkua vota e publikut që siç e pamë në “Kënga Magjike 2024”, u realizua. Producenti shtoi se vitin e ardhshëm ka konsideruar një juri të huaj ndonëse i pret edhe kritikat se duke qenë të tillë, nuk do të vlerësojnë si duhet. Por sërish, pesha kryesore mbetet te artistët.

Ardit Gjebrea: Jeni ju pesha e madhe! Jeni ju që duhet të ankoheni për njëri-tjetrin, pastaj juria. Ju jeni juria e madhe! Dhe si mund të përcaktohet se kush do ta fitojë këtë festival që më përpara kur ju vetë, secili nga ju do çmimin e parë dhe prandaj po bëni gjithë këtë debat këtu se secili nga ju e do çmimin e parë në këtë festival!

Më tej, Gjebrea vijon duke thënë se ka pasur edhe artistë, madje shumë të njohur por pa zbuluar emra, që i kanë thënë se në festival duhet kënduar me playback’. Ai e sheh ndryshe, si një mundësi  që artistët të këndojnë por thekson se gjithçka është për ta, edhe sistemi i votimit e ky i fundit është i pakorruptueshëm. Gjebrea nuk e lë me kaq por qëndron transparent deri në fund duke u lënë në dispozicion edhe verifikimin e votimit të publikut.

Ardit Gjebrea:Kënga Magjike” është një mundësi. Shumë vetë më kanë thënë pse nuk e rikthen ‘playback’ në “Këngën Magjike?” Ka qenë një luftë imja me disa artistë të cilët mendojnë që muzika sot nuk është më muzika e të kënduarit ‘live’ dhe festivali i “Këngës Magjike” nuk duhet bërë live sepse këngët e vërteta janë ato që dëgjohen në Spotify, videoklipe etj. Në qoftë se ju e mendoni si disa të tjerë, edhe artistë me emër, ma thoni tani sepse ky festival qëkur ka lindur, ka lindur si një festival i juaji, jo  imi. Unë mundohem pafund, pafund që të bëj një gjë të mirë për ju dhe kam gjetur një sistem që të jetë i pakorruptueshëm. Votat e publikut, i keni numrat e telefonit aty, shkoni dhe shihini. Është shumë e rrallë që dikush t’i nxjerrë të gjithë numrat siç i nxjerr “Kënga Magjike”, është shumë e rrallë që dikush t’ju thotë merrini numrat e telefonit, shkoni dhe verifikojini. Çdo gjë që del është transparente

Mbi të gjitha, Gjebrea ka një ftesë për artistët, të shohin përtej pikëve. Së pari, “Kënga Magjike” është një platformë për këngët e tyre. Së dyti, në dispozicion të këngëtarëve vendosen profesionistët më të mirë të festivaleve. Së treti, është e pamundur që fituesi të paracaktohet.

Ardit Gjebrea: Ejani dhe shfrytëzojeni këtë festival për sa kohë që është sepse çfarë do mbetet nga unë, ky diskutim? Çfarë do mbetet nga festivali i “Këngës Magjike”, prezantimi im?  Çfarë do mbetet? Do mbetet kënga juaj. Juve ju vjen stafi i Sanremo-s, stafi i Festivalit Europian dhe këto janë investime, këto janë të trokitura nëpër dyer që t’ju krijohen kushte të jashtëzakonshme  që ju të keni mundësi të këndoni në një skenë  dhe e dini si më tha dikush, një nga italianët? “Ato nuk ishin këngë, ato ishin videoklipe dhe janë një dhuratë shumë e bukur për artistët”. Ky është mundi dhe puna jonë dhe në jetë të jetëve sa të ekzistojë “Kënga Magjike” me këtë sistem votimi, kurrë nuk do të ketë artistë të paracaktuar që ta fitojnë këtë festival, as edhe një herë sepse nuk i lejon sistemi i votimit./tvklan.al