Një banesë është përfshirë nga flakët në Ranën e Hedhun. Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga korrespodenti i Klan News, Martin Marku, zjarri ka përfshirë katin e tretë të banesës dhe flakët po përhapen me shpejtësi duke rrezikuar kështu edhe shtëpitë që janë përreth.
Ndërkaq situata e zjarreve në vend gjithnjë edhe më shumë po bëhet e vështirë pasi flakët po rrezikojnë edhe jetën e banorëve.
Gazetari i Tv Klan, Merin Maçi në një lidhje direkte për Klan News, jep një panorama të përgjithshme të situatës së vështirë në vend. Sipas tij deri më tani bëhet me dije se të paktën tre banesa janë djegur pjesërisht si pasojë e përhapjes së flakëve.
“Në terren janë rreth 40 automjete zjarrfikëse dhe forca të shumta, por ndihma më e madhe vjen nga ajri falë katër helikopterëve që janë të angazhuar pikërisht për neutralizimin e vatrave të zjarrit të cilat riaktivizohen herë pas here. Situata paraqitet problematike dhe u mbetet orëve në vijim për të parë se si do të agravojë kjo situatë apo nëse do të kemi një neutralizim total të saj,” raporton gazetari Merin Maçi.
Ndërkohë deri më tani nuk kemi dëme në njerëz pasi është bërë evakuimi dhe spostimin në kohë i banorëve, por edhe i pushuesve të cilët ndodheshin të akomoduar në resortet apo në hotelet në zonën e Shëngjinit./tvklan.al