Lajme Arkiva 2003
Është mbyllur dje në mbrëmjen e 17 të tij edicioni i dytë i Maratonës së Këngës Popullore Qytetare, realizuar nga televizioni Kombëtar Klan. Mbi 60 ishin këngëtarët që morën pjesë në festivalin e “Disko Folk” dhe vetëm 16 prej tyre kanë mbërritur në natën finale e cila shpalli edhe fituesit e saj.
Me çmim të parë të këtij festivali shqiptar i cili nga viti në vit po krijon një traditë u nderua këngëtarja Mariza Ikonomi me interpretimin e këngës “Kur më zbrisje shkallët”.
Mariza Ikonomi: Gjithmonë dëshira ime ka qenë që përveç muzikës së lehtë të provoj edh enë stile të tjera muzikore, kështu që pse jo edhe në muzikë popullore nëse më jepet rasti nuk do ta refuzoj.
Gazetarja: A do të kishe një falënderim të veçantë për Tv Klan në këto momente?
Mariza Ikonomi: Do të falënderoja jurinë, tv Klan, publikun, orkestruesin e këngës Genti Lakon, të gjithë jeni të mrekullueshëm. Shpresoj të mblidhemi në aktivete të tilla!
Me çmim të dytë u vlerësua këngëtarja Silva Gunbardhi ndërsa me çmim të tretë këngëtari Saimir Braho i cili u nderua edhe m çmimin e televizionit Kombëtar Klan në këtë mbrëmje.
Saimir Braho: Shumë faleminderit Klan-it, jam mirënjohës! Kujt nuk i pëlqejnë çmimet?! Ç’tju them tjetër? Faleminderit edhe juve!
Në natën finale të këtij spektakli e cila ju kushtua tërësisht këngëtarëve konkurrent të “Disko Folk-ut”, janë ndarë edhe 6 çmime të tjera përveç 3 çmimeve kryesore.
Kanë qenë disa këngëtarët që janë vlerësuar me çmime të ndryshme, si me çmimin e kritikës këngëtari Agim Poshka, Eranda Libohova me çmimin e interpretuesit më të mirë, Rovena Dilo me çmimin e orkestrimit më të mirë, Mimoza Ahmeti fituese fitoi çmimin e televizionit Koha Vizion dhe Jonida Maliqi e cila mori çmimin e publikut në këtë mbrëmje.
Jonida Maliqi: shumë e lumtur, nuk e prisja, çmim publiku nuk kam marrë asnjëherë. Ndihem shumë e vlerësuar!
Gazetarja: Ishit e preferuara e publikut sonte, më mirë e preferuara e publikut apo e jurisë?
Jonida Maliqi: E publikut për mua ka një vlerë më të madhe sepse në fund të fundit unë për publikun këndoj.
Juria e përbërë nga 7 anëtarë dhe e kryesuar nga Limos Dizdari, shprehet tepër entuziaste për prurjet e këngëve të cilat kanë ardhur në netët e kësaj maratone. Ata thonë se ishte tepër e vështirë për të zgjedhur këngën fituese ndërmjet interpretimeve kaq të mira.
Limos Dizdari: Lidhur me dhënien e çmimeve juria ka qenë vërtet shumë e preokupuar për të dhënë nnjë mundësi, për të respektuar këtë risi, për të respektuar këtë tendencë, për të respektuar këtë element të ri që futen në jetën shpirtërore dhe artistike të njerëzve tanë në një kohë që ka një zhvillim të vrullshëm të gjithçkaje. Në këtë mes them se kjo zgjedhje, u munduam që të ishte afër objektives, por siç thotë vetë populli që bën këto këngë kaq të bukura, thotë që “njerëzit s’i ka kënaqur dielli”, mendo sa pak mund ti kënaqi një juri, kështu që është krejt normale që të ketë shumë debate, shumë diskutime. Megjithatë edhe njëherë unë dua t’ju uroj përzemërsisht, jo vetëm unë por edhe në emër të jurisë sepse të gjithë jemi të një mendje, të gjithë jemi në të njëjtin preokupim që vërtet ju keni bërë një punë shumë të mirë.
Kanë përshëndetur në mbrëmjen finale të kësaj maratone Grupi i Valleve të Tropojës, Grupi i Bençës, këngëtarja Vikena Kamenica etj. Është mbyllur kështu pra edhe për këtë vit edicioni i dytë i spektaklit më të madh televiziv kushtuar traditës dhe muzikës popullore, Maratona e Këngës Popullore Qytetare në Tv Klan, një spektakël i cili synon të kthehet në një traditë nga viti në vit dhe që shpreson të realizohet edhe vitin e ardhshëm, kësaj here me surpriza dhe strategji të reja artistike./tvklan.al