Lajme Arkiva 2003
Skenari i filmit “Lulëkuqe mbi mure” sot është realizuar në konviktin më të madh në vend, atë të shkollës pedagogjike dhe të gjuhëve të huaja në Elbasan. 705 konviktorët e këtyre shkollave sot kanë refuzuar të hanë mëngjesin, në shenjë protestë ndaj ndryshimit të masës së ushqimit.
Revolta kolektive e konviktorëve ishte paralajmëruar pak ditë më parë, pikërisht në kohën kur drejtoria arsimore në rreth dhe zyra përkatëse e arsimit në Bashkinë Elbasan, filluan të vënë në zbatim vendimin e ri të këshillit të ministrave, të firmosura nga kryeministri Nano. Vendim që bën fjalë për ndryshimin e normës së ushqimit të nxënësve konviktor.
Sipas këtij vendimi normat e reja ushqimore të aplikuara synojnë në uljen e sasisë së ushqimit dhe në rritjen e cilësisë së tij. Mirëpo normat e reja ushqimore nuk mbushin dot stomakun e të rinjve konviktor.
Edhe pse në meny është shtuar mishi, konviktorët kanë provuar të jenë të uritur, ndaj dhe nisin protestën masive sot në mëngjes duke bojkotuar edhe mësimin.
Konviktorja: Jemi nga 10 veta në tavolinë dhe bukën e ndajmë në 8 pjesë. Dy vetë ngelen pa ngrënë. Gjellën në vend që të na vënë një tenxhere të plota, na vënë vetëm për 4 veta dhe thonë se ushqimi i konviktit është përgjysmuar.
Për drejtorin e konviktit Vladimir Ganjolli është ulur racioni i bukës, por është shtuar sasia e mishit./tvklan.al