5300 ha toka të përmbytura, evakuohen disa familje
Reshjet e dendura të shiut që ranë gjatë 24 orëshit të fundit kane rënduar situatën në qarkun e Shkodrës ku përmbytjet kanë prekur edhe qytetin. Në mbrëmjen sipërfaqa e përmbytur në gjithë e Bashkinë e Shkodrës arriti në 5300 hektarë.
Prurjet e mëdha të Bunës dhe rritja e nivelit të liqenit ka bërë që uji të jetë prezent edhe në lagjet Xhabije dhe zonën e Livadheve. Këto janë pamjet në hyrje të qytetit të Shkodrës pasditen e së enjtes.
Si pasojë e situatës së krijuar u evakuuan nga shtëpitë e tyre në qytet mbi 10 familje. Dy familje u evakuuan edhe në zonën e Livadheve pasi banesat e tyre u përfshinë nga vërshimi i ujit.
Situata ka qenë e vështirë në mënyrë të veçantë në Njësinë Administrative Ana e Malit ku 4 shtëpi u përmbytën, ndërsa në tokat bujqësore prezenca e ujit arriti në mbi 2 metra.
Niveli i ujit në rrugën e Obotit arriti në 140 centimetra, ndërsa kalimi ka qenë i vështirë edhe për mjetet e mëdha të ushtrisë.
Banorët e prekur nga kjo situatë kërkojnë ndihmën e shtetit. Bashkia Shkodër nisur nga situata e rënduar i ka kërkuar sërish qeverisë të shpallë gjendje fatkeqësisë natyrore, për Njësitë Administrative Ana e Malit dhe Dajç.
Tv Klan