Pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty”, tek E Diela Shqiptare në Tv Klan është bërë Suela Cllini e cila ka treguar se është e birësuar dhe tani kërkon që të zbulojë për origjinën dhe prindërit e saj biologjikë. Moderatori Ardit Gjebrea së bashku me stafin e tij pas disa kërkimeve, ka gjetur familjen biologjike të Suelës. Ai ka treguar karvanin e vuajtjeve që nëna e babi i saj biologjik kanë kaluar, ku si pasojë e këtyre vuajtjeve, Suela ka përfunduar në shtëpinë e fëmijës.
“Nga ajo që ne kemi arritur të zbulojmë ti ke ardhur në jetë nga një marrëdhënie e rregullt martesore. Nëna jote quhet Ilira. Në vitin 1975 babai juaj arrestohet dhe dënohet me 8 vite heqje lirie në burgun e Burrelit. Në atë kohë prindërit e tu të cilët jetonin në Tiranë kishin dy fëmijë dhe prisnin një të tretë. Ndaj nënës tënde u mor vendimi i internimit në një fshat të Tiranës, por meqenëse ishte shtatzënë, ekzekutimi i vendimit u shty për më vonë.
Nëna jote lindi një vajzë e cila ndërroi jetë pas një viti. Nëna mundohet që të mbijetonte duke punuar për të rritur dy fëmijët e tjerë dhe herë pas here shkonte takonte bashkëshortin në burg, pra nuk e la. Në një nga këto takimet speciale, ngelet shtatzënë sërish. Në lagjen ku jetonte, filluan ta shikonin me një sy tjetër sepse e dinin që herët a vonë do të përfundonte përsëri në internim. Dikush në atë kohë inskenoi një sherr me nënën tënde dhe e denoncoi në polici gjoja sikur nëna jote e kishte kërcënuar dhe mamanë e ndaluan dhe e çuan në burgun e Elbasanit.
Shtatzëninë e kaloi në burg dhe në ditët kur do të të lindte ty, ishte shumë e sëmurë sa i rrezikohej dhe jeta. Në mëngjesin e ditës 24 Maj 1979 në maternitetin e Elbasanit lindi vajzën që e quajti Suela Dako. Për një javë nëna jote të ka ushqyer me gji derisa për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore e dërguan në Sanatoriumin e Tiranës, ku ndenji 6 muaj.
Pas spitalit nuk mbaruan vuajtjet e saj. Për 5 vite ajo duhet të punonte si e internuar. Një fëmijë ia mbante e ëma, një tjetër vjehrra, një vajzë i kishte ndërruar jetë dhe ti që mbete në maternitet, më pas përfundove në shtëpinë e fëmijës. Që nga dita që të la në maternitet, ajo nuk të pa më kurrë. Mbaroi internimi, nëna jote u bashkua me fëmijët edhe me babin tënd që u lirua me amnisti dhe jetuan në Krastë të Martaneshit.
Lindën dhe dy fëmijë të tjerë. Pas ndryshimit të sistemit, nëna jote u largua familjarisht drejt Greqisë ku vazhdon të jetojë edhe sot”, ka rrëfyer Ardit Gjebrea. /tvklan.al