Kryerepublikani Fatmir Mediu zhvilloi një takim elektoral me simpatizantë e mbështetës në qytetin e Sarandës. Gjatë fjalës së tij kreu i republikanëve u ndal tek çështja e pronës duke ritheksuar prioritetin e kësaj force politike për pronësi një ndër kushtet thelbësore drejt Bashkimit Europian.
Fatmir Mediu: “Kthimi i pronës private tek pronari i ligjshëm, ky është detyrimi i parë që duhet të ketë shteti shqiptar. E them këtë sepse është një detyrë, është një detyrim përballë së drejtës. Kur ne republikanët filluam në vitin 1990 të flisnim për pronën private shumë na quajtën ekstremistë. Jo motra dhe vëllezër ajo që kemi kërkuar në atë kohë, që kërkojmë dhe sot është të ndërtojmë një shtet bazuar në të drejtën. E drejta e pronës private është përcaktuar në konventën Europiane të të drejtave të njeriut. E nëse duam të shkojmë në Europë nuk mund të shkojmë ndryshe, përveçse duke respektuar të drejtën e pronës private.”
Gjatë këtij takimi kryerepublikani prezantoi dhe kandidatin për deputet për qarkun e Vlorës Arben Vogli.
…
Kandidati për deputet në qarkun e Korçës Ben Blushi pati takime në disa lagje në qytetin e Korçës .Gjatë fjalës së tij Blushi u tha të pranishmeve se program i Partisë Socialiste është program më i mirë që i ofrohet shqiptarëve.
Ben Blushi: “Në qoftë së ka një ndryshim të madh përveç faktit që qeveria e Berishës është e kriminalizuar, e majta dhe e djathta ka një ndryshim në gen në ADN.”
…
Kandidati për deputet në qarkun e Lushnjës Gramoz Ruçi zhvilloi disa takime me mbështetës e simpatizantë në fshatin Bubullimë. Duke kritikuar ashpër mazhorancën e djathtë Ruçi tha se bujqësia në vend po ecën me ritme te ulëta dhe se zgjidhja për këtë është program i partisë Socialiste.
Gramoz Ruçi: “Është e drejta e çdo qytetari që duke u nisur nga tryeza e bukës secili nga Vermoshi në Konispol të gjykojë nëse sot jeton më mirë apo jeton më keq.”
…
Kryetari i Partisë Socialiste të Vërtetë 91, Petro Koçi zhvilloi një takim me banorë të njësisë numër 9 në kryeqytet. Gjatë fjalës së tij Koçi ritheksoi nevojën e bashkimit të socialistëve në kutitë e votimit më 28 qershor.
Petro Koçi: “Slogani ynë është që të jemi bashkë. Bashkë në kutitë e votimit, bashkë me qytetarët për të qeverisur vendin. Ne kemi bindjen që idealizimi ekziston, idealizimi nuk ka vdekur, ne duam ta çojmë atë më parlament, duam ta kemi idealizimin aktiv në politikë.”/tvklan.al