Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ishte në një takim me gratë dhe vajzat e qytetit të Kavajës. Duke u ndalur në vlerat demokratike të Kavajës, Topalli tha, se 4 vjeçari i ardhshëm do të jetë ai i fitores dhe i sfidave të mëdha.
Jozefina Topalli: “Projektet e zhvillimit e 4 vjeçarit tjetër janë po aq ambicioze sa ç’kanë qenë këto që ne i kemi realizuar gjatë kësaj periudhe. Do jetë një 4 vjeçar i jashtëzakonshëm, i sfidave të mëdha, i ambicieve të mëdha për Shqipërinë, i mundësisë së liberalizimit të vizave, i mundësisë së rritjes së ekonomisë. Do jetë një 4 vjeçar që do të vazhdojmë të rrisim rrogat, ku do të vazhdojmë të rrisim pensionin, e mbi të gjitha vëmendja do përqendrohet tek ata që kanë më shumë nevojë, tek ato që kanë më pak mundësi. E mbi të gjitha mbi të gjitha ajo që ne synojmë është rinia, më shumë bursa, më shumë shkolla, më shumë punësim.”
…
Ministri i Punëve të Jashtëm zoti Lulzim Basha është takuar me banorë të rajonit 2 dhe 3 si dhe të lagjes “Dyl” dhe “Haxhire Myzyri” në Elbasan. Ministri Basha ka bërë një krahasim mes dy modeleve që konkurojnë në këto zgjedhje atij të ndryshimit dhe integrimit të PD-së dhe modelit të rikthimit të byrosë politike dhe aferave korruptive të Edi Ramës. Vizionin politik të të cilin shqiptarët do dinë ta refuzojnë me votën e tye në 28 qershor.
Lulzim Basha: “Është vizioni i politikës së re me një monedhë. Nga njëra anë është fytyra e Gramoz Ruçit dhe nga ana tjetër e Skënder Gjinushit. Kjo nuk është monedha me të cilën mund të blesh asgjë, kjo është monedha e mashtrimit. Prandaj shqiptarët do ti tregojnë me votën e tyre vendosmërinë e refuzimit.”
Në mandatin e dytë tha ministri i jashtëm Basha në një qendër të politikave të kësaj mazhorance mund të jetë përmisimi i mëtejshëm i jetës së çdo shqiptari, me rritje pagash e pensionesh, përmirësim të shërbimit shëndetësor si dhe asfaltim të rrugëve në çdo cep të vendit.
…
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka patur si ndalesë të radhës qytetin e Ballshit në turin e tij elektoral. Mediu siguroi të gjithë se zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë më transparentet në këto 18 vite, për të çuar më tej ëndrrën Europiane të shqiptarëve.
Fatmir Mediu: “Të votojmë me bindjen se jemi nisur në atë drejtim që na ka përcaktuar historia. Nëse të tjerët e kanë bërë historinë më parë dhe gëzojmë sot në Shqipëri ka ardhur koha të ndërtojmë historinë tonë, historinë e Shqipërisë në NATO dhe historinë e Shqipërisë në Bashkimin Europian, me besimin dhe shpresën që po ndërtojmë të ardhmen për fëmijët tanë, të ardhmen për prindërit tanë, të ardhmen për Shqipërinë që e duam.”
Fatmir Mediu kërkoi votën për republikanët dhe koalicionin “Aleanca për Ndryshim” për të bërë akoma më shumë në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe çdo sektor tjetër të rëndësishëm.
…
Kandidatja për deputete e PS në qarkun e Elbasanit Valentina Leksaj është takuar me banorë të fshatit Paper. Leskaj është ndaluar te problemet e fermerëve të cilët nuk kanë mundësi të shesin prodhimet e tyre.
Valentina Leskaj: “Kemi bërë një program që fillon me kartën sociale që është një revolucion do thosha është një element shumë i rëndësishëm. Që çdo shtetas i këtij vendi të ketë një kartë sociale që pavarësisht nga gjendja ekonomike apo sociale të ketë disa përfitime bazë të nevojshme për një jetë normale. Ne padyshim që do të katërfishojmë ndihmën ekonomike sepse ndihma ekonomike sot është një lëmoshë, e cila nuk të jep as gjysmën e minimumit jetik. Ne do të zgjidhim problemin e tregut, sepse nuk mund të ketë biznes agrar dhe nuk mund të zhvillohet familja fermere.”
Leskaj u ka premtuar banorëve të kësaj zone se pas 28 qershorit do t’i kushtohet një vëmendje më e madhe fshatit nga ana e shtetit. …/tvklan.al