Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Klajdi Shehu, nipi i Sulo Shehut, një nga biznesmenët më të rëndësishëm në vend, rrëmbehet me armë dhe mbahet peng për katër ditë radhazi. Djali bllokohet në befasi nga burra me maska dhe armë në afërsi të rrugës së trenit, kur ai po lëvizte me makinën e tij. Familja dhe policia lajmërohen për rrëmbim nga një dëshmitar i ndodhur rastësisht në vendngjarje.

Menjëherë biznesmeni, shënjestër i këtij rrëmbimi dërgon nëpërmjet mediave një mesazh për pengmarrësit, ku i kërcënon se do të paguaj 10 milion dollarë për të ndëshkuar ata që i mbajnë peng nipin. Pas kësaj, telefonatat e pengmarrësve bëhen më nervoze. Rrëmbyesit nuk arrijnë të vënë gjobën e parashikuar, ndërsa një grup special policor, arrin nëpërmjet telefonisë të gjejnë zonën ku veprojnë.

Policia arrin fare pranë vendit ku ndodhej pengu, por humbet gjurmët, pasi operacioni policor tradhtohet nga një inspektor i rendit në fshatrat e Kaninës. Të tmerruar nga kërcënimet e biznesmenit dhe të izoluar nga policia, rrëmbyesit lirojnë Klajdin 20 vjeçar, për të mos u kapur në flagrancë. Por arrestimi i tyre ishte i pashmangshëm, ndalohen menjëherë 8 persona, për të cilët policia dhe prokuroria deklarojnë se ka prova se janë autorë të rrëmbimit. Ndërsa 20 vjeçari kthehet në shtëpinë e tij. Tashmë i vendosur për të mos jetuar më në Vlorë.

Skena të 97-98 u kthyen sërish në periferi të kryeqytetit, për disa orë gjatë javës që shkoi. Banorë të Bathores, të irrituar nga mos plotësimi i disa kërkesave për kushtet e jetesës në zonën ku banojnë, bllokuan rrugën nacionale që lidh Tiranën me veriun e vendit, në urën e Kamzës. Thirrjeve të policisë, për ta liruar vendin, protestuesit u janë përgjigjur duke qëlluar me gurë, çka shkaktoi edhe plagosjen e disa policëve, tre prej tyre u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak.

Ministri i Rendit u bëri thirrje protestuesve, të ndalojnë dhunën ndaj policisë, për të zgjedhur një grup për bisedime me qeverinë, por orët në vazhdim u pasuan nga një gjendje e nderë. Ura e treshit, qëndroj për më shumë se 9 orë e bllokuar dhe në dy krahët e saj forca policore dhe protestues, qëndronin përball njëri-tjetrit. Situata u qetësua pas dy ditësh me nënshkrimin e kontratës ndërmjet përfaqësuesve të protestës dhe grupit ndërministror, ku qeveria u angazhua për zgjidhjen e shpejtë të vështirësive të Bathores. Por viktimë e ngjarjes u bë kreu i policisë së Tiranës, kolonel Ilirjan Zylyftari, i cili u lirua nga detyra.

Futen për të grabitur me armë pasurinë e një familje në Laç, por dalin prej atje të vdekur nga plumbat e të zotit të shtëpisë. Në orte natës, dy të rinj me armë, janë ngjitur në katin e dytë të banesës së Gjon Lukës, ku flinin djali i mitur i çiftit. E kanë marrë atë nga shtrati dhe më pas janë afruar në dhomën e çiftit, duke kërcënuar se do t’ua vrasin djalin, nëse nuk hapin derën për të plaçkitur paratë që kishin. Por ngjarja është kthyer në dëm të dy grabitësve, pasi i zoti i shtëpisë ka arritur t’i vrasë të dy në momentet kur njëri prej tyre po drejtonte armët ndaj gruas dhe fëmijës. E plagosur ka mbetur dhe bashkëshortja e Gjon Lukës, e cila po kurohet në spital. Ndërsa ky i fundit është liruar nga gjykata, pasi vrasja e dy grabitësve është kryer për vetëmbrojtje./tvklan.al