Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ka zhvilluar takime me banorë të disa lagjeve të Elbasanit. Në këto takime kryediplomati shqiptar ka përsëritur premtimin se brenda vitit të parë të mandatit të 2 të Partisë Demokratike, shqiptarët do të lëvizin pa viza drejt Europës. Në 4 vitet që vijnë tha Basha, në takimin me banorët e fshatit Vidhas, nisur nga investimet e parashikuara, Elbasani do të jetë zemra ekonomike e Shqipërisë.
Lulzim Basha: “Boshti qendrorë jugor se bashku me rrugën Tiranë-Elbasan, së bashku me aksin që shkurton distancën Elbasan-Korçë, pra Qukës-Qafë Plloçë, së bashku me rrugën tjetër që e lidh me tregun veri-lindor Librazhd-Stëplevë. Do ta kthej Elbasanin nga zemër gjeografike në zemër ekonomike të Shqipërisë”.
….
Kandidatët për deputet në qarkun e Tiranës Majlinda Vregu, Florion Mima, Jorida Tabaku, Indrit Fortuzi, në vijim të takimeve elektorale u ndalën dje në një bashkëbisedim me tregtarë tek Stacioni i Trenit, ku u njohën më nga afër me problematikën kryesore dhe kushtet në të cilat ata ushtrojnë aktivitetin e biznesit.
“Kush është Edi Rama? Ai thotë votoni për mua, na ka vu dhe një tabelë aty. A ka numër? A ka emër? Ça ka ai? Kush është ai person që flet për këtë popull?
“Tregu më i bukur i Kabulit ky mund të jetë. Kena pagu 270 mijë lekë 1 rrënjë peme dhe asnjë pemë s’ka këtu. Se ku janë pemët këtu unë nuk e di. Kena pagu 150 mijë lekë pastruesen dhe asnjëherë se kam parë pastruesen e bashkisë me ardh me pastru këtu”.
…
Kandidatët e PD-së në qarkun e Tiranës Aldo Bumçi dhe Ilir Rusmaili, ishin në zonën e Kombinatit, ku ndërmjetësuan për ndërtimin e një ujësjellësi që furnizon me ujë këtë lagje të kryeqytetit e cila vuante prej 7 vitesh nga mungesa e ujit të pijshëm.
“Kemi 7 vjet pa ujë, sot jemi knoq me ujë”.
Aldo Bumçi: “Kjo është përgjegjësi e Edi Ramës që e ka lonë 10 vjet kështu”.
“E don Shqipërinë si Tirana, e don pa rrugë, pa ujë. Kjo është Tirana që don modelin ai të bëjë”.
“Punët që ka bo PD, sun ja mohojnë kurrkush”.
…
Kandidatët e PS-së Ben Blushi dhe Arben Ahmetaj kanë qenë në Polos të Korçës. Në takimin e zhvilluar në këtë fshat ata premtuan se pas 28 qershorit fshati do të ketë një qeveri e cila nuk do ta lërë më fermerin jetim, por përkundrazi do të stimulojë zhvillimin e punës në fshat.
Ben Blushi: “Fshatrat tona do të ndryshojnë, do ketë një qeveri mike, një qeveri mike të fshatit, një qeveri mike të fshatarëve e cila do marri masa konkrete për të ndryshuar totalisht jetën në fshatrat tona duke penguar çdo matrapaz i cili merr para nga qeveria po nuk shet”.
…
Kandidati i PS-së në qarkun e Fierit, Gramoz Ruçi, zhvillojë një takim në komunën Krutje.
Gramoz Ruçi: “Se me PS-n dhe Edi Ramën do të fitojmë neve socialistët edhe demokratët, e unë do tu bëj apel të gjithë demokratëve, veçanërisht Krutjes që me djalin e tyre në parlamentin shqiptar ata janë të fituar”.
…
Kandidati për deputet i qarkut të Durrësit, Blendi Klosi, ka qenë në Ishëm. Gjatë takimit me banorët e kësaj zone, Klosi u shpreh se banorët e Ishmit fare pranë brigjeve nuk e meritojnë të jenë në këtë gjendje të mjerë dhe të harruar nga qeverisja.
Blendi Klosi: “Politika e PS-së do të jetë më së miri e drejtuar tek të gjithë, politika e PS-së do të jetë për një shëndetësi e cila do të mbrojë interesat e të gjithëve. Prandaj unë kam bindjen që Ishmi ashtu si gjithë Shqipëria do t’i bashkohet kësaj force politike sepse ne përfaqësojmë ndryshimin”…./tvklan.al