Në një takim me drejtuesit e policisë së shtetit, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha deklaroi se arritja e parametrave të vendeve të BE në luftë kundër të gjitha veprimtarive kriminale dhe realizimi i detyrave të përcaktuara për policinë në progres raportin për Shqipërinë, përbëjnë edhe detyrimet kryesore për përfitimin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë.

Lulzim Basha: “Arritjen e parametrave për të cilat jemi zotuar me partnerët tanë, qoftë kjo në kuadrin e kontratës që Shqipëria ka me Bashkimin Evropian, marrëveshje stabilizim asocimit. Qoftë kjo sa i përket reformave në ato sektor jetik për përmbylljen me sukses të gjithë detyrimeve të Shqipërisë për heqjen e vizave për qytetarët shqiptar. Barra e këtyre detyrimeve kryesore bie mbi shpatullat e Policisë së Shtetit në veçanti dhe ministrisë së Brendshme në përgjithësi. Ndaj dhe suksesi ynë në këto detyra është përcaktues për suksesin e përkushtimit më të madh politik të kësaj maxhorance dhe të qeverisë së kryeministri Berisha, heqjes së vizave brenda vitin që vjen.”

Në të njëjtën kohë, Ministri Basha paralajmëroi vazhdimin e reformës, duke theksuar se ajo ka për qëllim rritjen e efektivitetit të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit financiar.

Lulzim Basha: “Në strukturat e operacioneve speciale keni një numër të madh punonjësish të policisë, por informacioni për efektivitetin e tyre nuk është i pranueshëm. Në këtë kuadër kërkohet një impenjim i drejtuesve, i juaji për më shumë punë me provat shkencore si dhe me  aplikimin e metodave speciale të hetimit në çdo qark. Strukturat vendore shpesh herë janë treguar pasive dhe nuk kanë realizuar detyrat me efektivitetin e kërkuar. Jo i gjithë aktiviteti i paligjshëm përqendrohet në kryeqytet, nuk mund të themi se nuk ka korrupsion, në tenderët e zhvilluara në sektorë të ndryshëm. Lufta kundër korrupsionit është një prioritet absolut që fillon nga vetë radhët e Policisë së Shtetit

Duke e cilësuar të patolerueshëm faktin se akte të shumta kriminale mbeten të pazbuluara, ministri i Brendshëm kërkoi që të ushtrohet kontroll i njëtrajtshëm në këtë drejtim në të gjithë qarqet e vendit dhe në çdo cep të territorit shqiptar.

Lulzim Basha: “ Thirrje të veçantë policisë së rendit për një kontroll vigjilent, rigoroz në të gjithë territorin e republikës për sa i përket strukturave të sigurisë publike në drejtim ë parandalimit, zbulimit dh goditjes të kësaj veprimtarie.”

Në kete takim, Ministri Basha u ndal edhe tek problemet në qarkullimin rrugor, duke thënë se situata aktuale është e frikshme dhe kaotike, me shkelje të shumta që për më tepër edhe tolerohen nga punonjësit e policisë. Ai bëri të ditur se po përgatitet një masterplan masash me komponentët e duhur teknologjikë për të evidentuar të gjitha shkeljet e mundshme, si dhe paralajmëroi ndryshime të nevojshme në legjislacion./tvklan.al