Provinca më e populluar e Kinës, Guangdong është përfshirë nga reshjet e mëdha të shiut të cilat kanë sjellë përmbytje masive. Kjo ka bërë që autoritetet të evakuojnë rreth 60 mijë njerëz nga shtëpitë e tyre në Guangdong.

Si pasojë e përmbytjeve, 11 persona janë zhdukur ndërsa deri më tani nuk raportohet për viktima. Pamjet e bëra publike në internet tregojnë sipërfaqe të mëdha toke të përmbytura dhe po ashtu ekipet e shpëtimit që transportojnë njerëzit me varkat e shpëtimit nga shtëpitë e tyre të përmbytura.

Disa lumenj të mëdhenj kanë dalë nga shtrati dhe autoritetet po monitorojnë nga afër nivelet e larta e të rrezikshme të ujit. Pjesa më e madhe e Guangdong është pjesë e deltës së ulët të lumit Pearl, e cila është e prirur ndaj përmbytjeve për shkak të përmbytjeve të pellgut ujëmbledhës, rritjes së nivelit të detit dhe stuhive.

Guangzhou si dhe qytetet më të vogla, Shaoguan dhe Heyuan ishin ndër më të goditurat nga përmbytjet. Në Aeroportin Ndërkombëtar Baiyun në Guangzhou janë anuluar fluturimet për shkak të reshjeve të vazhdueshme të shiut, ndërsa shkollat janë urdhëruar që të mbyllen në të paktën 3 qytete deri në njoftim të dytë./tvklan.al