Lajme Arkiva 2003
Përmbytjet kanë përfshirë veriun e Shqipërisë. Prefektura e Kukësit, Shkodrës dhe Lezhës tashmë kanë dëmtime të rënda nga zonat e banuara.
Ndërsa akset rrugore janë bllokuar nga vërshimet e dherave. Ministria e pushtetit lokal bën të ditur nëpërmjet një komunikate për gjendjen e krijuar se në prefekturën e Shkodrës, rrëshqitjet e dheut kanë bllokuar rrugën nacionale në Gojan dhe Gjegjan.
Në rrethin e Pukës si pasojë e stuhisë ka pasur dëmtime me pasojë ndërprerjen e plotë të energjisë elektrike.
Argjinatura e Gjadrit megjithëse është përforcuar një vit më parë rezulton tashmë jashtë funksionit dhe për pasojë janë përmbytur fshatrat Mnelë dhe Vig. E pamundur rezulton edhe lëvizja e banorëve të përmbytur, pasi janë bllokuar plotësisht rrugët.
Lumi Gjadër ka shkaktuar përmbytje edhe në Kallm dhe Dajç. Sipas komunikatës së ministrisë së pushtetit lokal janë shembur nga vërshimet dy ura në këto komuna duke shkaktuar izolimin e banoreve te zonës.
Në Has si pasojë e reshjeve të shiut kanë dalë jashtë përdorimit 4 shtëpi. Ministria e rendit njofton se është plotësisht e bllokuar rruga nacionale Kukës-Tiranë. Gjithashtu të bllokuara rezultojnë edhe akset Pukë-Shkodër dhe Pukë- Fushë Arrëz./tvklan.al