Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të martë një takim me kryebashkiakët e vendit. Fjalën e tij ai e nisi duke u ndalur te emergjencat, e konkretisht te përmbytjet në Vlorë javën e fundit. Sipas kreut të qeverisë të gjitha strukturat duhen trajnuar që të jenë gati për të dalë në terren që në momentin e parë.


“Tanimë është fakt i kohës që jetojmë që të gjithë vendet duhet të përballen në verë me zjarre, në vjeshtë, dimër e pranverë me përmbytje. Natyra e këtyre fenomeneve ndryshon çdo vit, e kemi parë të gjithë se çfarë ndodhi në Austri dhe në ditët kur këtu u përmbyt Vlora në Bosnje humbën jetën shumë njerëz dhe ku dëmet e plagës së hapur atje janë marramendëse. Ka një shpjegim të thjeshtë përtej analizave popullore dhe tendencioze që i bëhen që ka ndryshuar komplet formacioni i reshjeve. Para ca kohësh u bë spektakolare përmbytja në Dubai ku në fakt ranë 48 orë e njëjta sasi me 4 muaj shi në Londër. Sado ekselente të jetë, nuk ka infrastrukturë që absorbon goditjen e parë, ajo që ne nuk mund ta neglizhojmë është dobësia që shfaqet në reagimin tonë në nivel vendor.”

Rama foli me të dhëna për dy prefektura që u është dashur të përballen me zjarret ose përmbytjet.

“Prefektura e Korçës kishte 1491 forca dhe ka aktivizuar vetëm 342 dhe madje ka kërkuar mbështetje nga FA pa arritur të aktivizojë gati 70 e kusur përqind që kanë qenë aktive. Prefektura e Shkodrës, ka përdorur më shumë kapacitete se ato të deklaruarat dhe mbështetjen nga FA e ka kërkuar në raste specifike. Ajo që pastaj është shumë domethënëse është që rezultati në Korçë pavarësisht shpenzimeve, kishte rezultate më të dobëta se në Shkodër. Kjo nuk kërkon shkencë, por koordinim dhe trajnim të vazhdueshëm. Duhen bërë stërvitje për këtë punë!”

Duke e cilësuar një domosdoshmëri strukturimin e forcave, ai theksoi se do bëhet një kalendarizim i trajnimeve me një sistem komunikimi.

“I kam kërkuar minsitrit të Mbrojtjes të ndërtohet një plan pune tani që jemi në fazë qetësie për të konverguar energjitë e nevojshme mes emergjencave kombëtare dhe atyre lokale. Të gjithë të dijnë se kush bën çfarë, jo alarm thirr njërin, thirr tjetrin.”

/tvklan.al