Përmirësimi i motit po çon drejt përmirësimit situatën e krijuar nga përmbytjet në zonën e Nën Shkodrës. Informacionet më të fundit të Ministrisë së Brendshme, flasin për një situatë ndryshe nga ajo e një dite më parë. Në mjaft komuna uji ka filluar të tërhiqet, ndërkohë që një përmirësim i ndjeshëm është vënë re në komunat Bërdicë, Guri i Zi, Qendër Malësi e Madhe, Bushat dhe Dajç.
Sipërfaqja e përmbytur është zvogëluar me më shumë se 2 mijë hektar. 11 mijë e 400 hektarë rezultonin nën ujë të mërkurën, sot janë 9 mijë e 340 të tilla. Uji është tërhequr gjithashtu edhe nga 480 shtëpi. Të përmbytura janë ende 2169 banesa, nga 2649 të një dite më parë.
Të dhënat më të fundit të Ministrisë së Brendshme flasin gjithashtu dhe për një përmirësim të ndjeshëm të prurjeve në kaskadën e Drinit. Kështu niveli i ujit arrin në Fierzë në 296 metër, Komani në 175 dhe Vau i Dejës në 76 m. Ulja e nivelit të ujit ka përmirësuar gjithashtu situatën edhe në rrjetin rrugor të komunave të prekura nga përmbytjet.
Sipas Ministrisë së Brendshme rruga e Dajçit tashmë është e kalueshme për automjetet dhe se të hapura janë dhe akset në hyrje te qytetit, si dhe lagjet periferike të Shkodrës, ajo “Baçallëk”, “Ajasem”, “Kiraz”, dhe “Salo Halili”. Edhe rruga nacionale Shkodër-Tiranë tek harku i Bërdicës, është plotësisht e lirë dhe mundtë qarkullohet me të gjitha llojet e automjeteve, ashtu si në hyrje të urës së Bunës realizohet kalimi normalisht.
Bazuar në të njëjtat informacione të ministrisë rruga Ura e Bunës-Shirok megjithëse ka rënie të nivelit të ujit, ende është e vështirë qarkullimi për automjetet e vogla. Gjatë ditës së sotme, forcat e ushtrisë dhe ekipet e emergjencës kanë vijuar me shpërndarjen e ushqimeve për t’ju ardhur në ndihmë banorëve në komunat Velipojë, Bërdic, Bushat, Dajç, Ana e Malit dhe bashkinë Shkodër.
Banorëve po u vihet në ndihmë dhe me asistencë mjekësore dhe koncentrat për bagëtinë. Masa janë marrë dhe nga Drejtoria e Shëndetit Publik në Shkodër edhe për klorizimin e ujit. Paralel me operacionin humanitar, forcat e ushtrisë po kryejnë dhe forcimin e argjinaturave të Reçit, Qasit, dhe Deragjatit./tvklan.al