Teksa situata e zjarrit në Shëngjin është përmirësuar, kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu ka dhënë një deklaratë për mediat. Gjatë fjalës së tij, Ndreu ka thënë se ka qenë një nga situatat më të vështira që kanë kaluar dhe një rrezik shumë i madh, kjo për shkak dhe të erës së fortë. Më tej, Ndreu shprehet se pjesa më e madhe e rrezikut është kaluar dhe nuk mendon se ka rrezik që situata e djeshme në Shëngjin të përsëritet.
Pjerin Ndreu: Ka qenë një situatë nga më të vështirat që kemi kaluar, ka qenë një rrezik shumë i madh për shkak të erës së fortë, disa vatra të vogla zjarri që u bënë të mëdha. Falë angazhimit të të gjithë Shqipërisë të forcave zjarrfikëse është bërë e mundur që gjendja të mbahet në kontroll, të mos kemi dëme në njerëz, të kemi dëme të vogla, të lehta në biznese dhe të neutralizojmë një situatë, e cila nëse nuk do të punohej pa pushim për 48 orë do të ishte një histori e trishtë.
Ne kemi gjithë natën që po merremi, po trajtojmë edhe vatrat më të vogla, po presim dhe helikopterët e tjerë të bëjmë një rivlerësim të disa vatrave që nuk janë aktive dhe nuk janë problematike tani, po që historia tregoi se me erën që është prezente dhe se mund të riaktiviziohen. Jemi të gjithë në këmbë dhe mendoj se shumica është kaluar, nuk besoj se do të na shkojë situata në pikën e tillë të rrezikut, por po bisedojmë dhe me të gjithë operatorët turistikë dhe po punojnë për ta neutralizuar situatën në kuptimin psikologjik, tashmë janë gjëra të tejkaluara dhe nuk kemi arsye pse të mos pretendojmë për normalitet.
/tvklan.al