Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Konsensus për numrin e të përndjekurve politikë. Ky mbetet çelësi për zgjidhjen e çështjes së dëmshpërblimit financiar mes qeverisë dhe të përndjekurve. Qeveria tashmë ka hartuar një sistem asistence, i cili është konsideruar qesharak nga ky grup interesi. Ministria e Financave deklaron se nuk ka fonde financiare, ndërsa pala e të përndjekurve ka hedhur të tjera diskutime në tryezë.
Të përndjekurit kanë kërkuar dëmshpërblim me paratë e Bankës së Kursimeve apo kthim në kesh të letrave me vlerë të mbetura të papërdorura, që prej vitit 96. Alternativa këto që janë hedhur poshtë nga socialistët dhe qeveritarët. Të përndjekurit konstatojnë se dëmshpërblimi i tyre është shumë më i ulët se dëmshpërblimet e viteve të burgut të të burgosurve VIP, siç ishte dëmshpërblimi i bujshëm i kryeministrit aktual Fatos Nano.
Hartuesit e skemës financiare sqarojnë, se propozojnë një skemë asistence të ngjashme me Hungarinë dhe Poloninë. Sipas kësaj skeme, kostoja e asistencës mujore për të përndjekurit varjonë nga 1000 deri në 5000 lekë në varësi të viteve të burgut, që është afërsisht sa 10 apo 15 herë më pak se rroga minimale.
Të përndjekurit politikë dhe opozita që i mbështet duket se do të kundërshtojnë projektin, i cili aktualisht po diskutohet në komisionet parlamentare. Ndërkohë që socialistët kanë hedhur dyshime në lidhje me keqmenaxhimin dhe shpërdorimin nga ana e disa drejtuesve të ish-të përndjekurve politikë të fondeve të dhëna të qeverisjes demokratike./tvklan.al