Për afro tre orë opozita protestoi duke bllokuar 5 akset kryesore në kryeqytet, para Bashkisë së Tiranës, sheshin “Willson”, rrethrrotullimin e Zogut të Zi, Pallatin me Shigjeta dhe kryqëzimin e rrugës së Elbasanit.

Tensionet nisën menjëherë në kryqëzimin e rrugës së Elbasanit, ku pati përplasje mes deputetëve demokratë dhe policisë. Si pasojë e konfrontimeve fizike një protestues mbeti i lënduar, i cili u transportua më pas me ambulancë në spital.

Policia e cilësoi të paligjshëm tubimin e opozitës, duke i kërkuar të zhbllokonte rrugët dhe lejonte qarkullimin e automjeteve. Por demokrati Flamur Noka kërkoi nga uniformat blu që të mos provokonin protestuesit, pasi tubimi do të ishte paqësor.

Më e tensionuar situata ishte në sheshin “Willson”, ku pas më shumë se një orë bllokimi për të shpërndarë protestuesit, policia hodhi ujë në drejtim të tyre.

Pikërisht kur u duk se tubimi u mbyll, protestuesit u rikthyen, ç’ka i detyroi më pas efektivët blu të hidhnin gaz në drejtim të tyre. Aksi përpara Bashkisë së Tiranës ishte një tjetër vatër përplasjeje.

Për të shpërndarë protestuesit, të cilëve iu bashkuan edhe deputetët e zhvendosur nga sheshi “Willson” s’u kursye uji dhe gazi lotsjellës.

Tensione mes protestuesve dhe policisë pati edhe në dy akset e tjera të bllokuara, rrethrrotullimin e Zogut të Zi dhe pallatin me Shigjeta.

Pas përfundimit të mosbindjes civile u hap edhe qarkullimi për automjetet në 5 akset e bllokuara në kryeqytet.

Tv Klan