Pas rrëzimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës, një tjetër njësi vendore e drejtuar nga socialistët, duket se do të mbetet peng i mosmarrëveshjeve mes Partisë Socialiste dhe përfaqësuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Këshilltarët e LSI-së në Korçë, kanë deklaruar se nuk do të miratojnë buxhetin e hartuar nga kryebashkiaku socialist Niko Peleshi, nëse ky buxhet nuk do të jetë në interes të qytetarëve.
Besjan Pesha: “Sot na është paraqitur nga bashkia dhe kemi nëpër duar një buxhet i cili as nuk na thotë dhe na detajon sesa investime kanë qenë parashikuar dhe sa janë realizuar në vitin 2008 dhe as çfarë investimesh dhe çfarë detajimesh kanë këto investime, do të realizohen në vitin 2009. Në qoftë se buxheti do të jetë një buxhet për qytetarët sigurisht që vota jonë do të jetë votë pro qytetit të Korçës, në të kundërt vota jonë do të jetë kundër”.
Sipas përfaqësuesve të LSI-së, arsyet e votës kundër nuk janë politike por kanë të bëjnë me mungesën e transparencës në zërat e buxhetit.
Besjan Pesha: “Ne i quajmë totalisht të papranueshme që të na paraqitet një buxhet, i cili ka shumë lapsuse ekonomike dhe delogjike brenda tij. Por mbi të gjitha nuk ka të detajuar zërin më kryesor të buxhetit që është investimet në infrastrukturë”.
Në këshillin bashkiak të Korçës, socialistët kanë 18 anëtarë, LSI 3 përfaqësues, ndërsa e djathta 17 vota. Përmasat që po merr përplasja në nivel lokal mes 2 forcave kryesore të opozitës mesa duket do të reduktojnë në maksimum shanset për një bashkëpunim të mundshme mes tyre në zgjedhjet e qershorit./tvklan.al
Gazetare: Daniela Zisi