Për të pestin vit Ko Plan, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, ofroi çmimet e Lidershipit shqiptar 2008 për personalitetet me kontribut më të spikatur në katër fusha, shoqëri civile, qeverisje, sektori privat-biznes dhe media-shtypi. Në këto vite traditë janë vlerësuar arritje profesionale të individëve, organizatave, institucioneve e kompanive që kanë shërbyer si modele pozitive për shoqërinë, kanë shfaqur standarde të larta etike si dhe kanë sjellë risi në qeverisje. Mes tyre janë nderuar emra të njohur si Blendi Fevziu, Remzi Lani, Ardian Turku, Avokati i Popullit, Valdet Sala, etj, duke krijuar një alternativë ndaj idesë të përhapur gjerësisht se termi lider i takon veç personaliteteve të politikës. Si promotor i një iniciative të tillë, Ko Plan në 13 vitet e ekzistencës si pjesë e shoqërisë civile ka qenë shumë i ndjeshëm karshi problematikave sociale, ekonomike, kulturore e ambientale.

Dritan Shutina: “Aktiviteti i lidershipit shqiptarë është një aktivitet i përvitshëm, faktikisht ky është viti i 5 që ofrohet nga Ko Plan. Ky aktivitet synon të promovojë më të mirën nga shoqëria shqiptare, është një çmim që jepet në 4 fusha në shoqëri civile, media, biznes dhe qeverisje dhe sikurse thashë synon të promovojë vlerat më të mira të shoqërisë duke promovuar ata individ të cilët në një mënyrë mund të kthehen në pikë referimi për shoqërinë”.

Dhënia e çmimeve kalon përmes një procesi përzgjedhës të hapur disa mujor të kandidaturave të sygjeruara nga opinioni publik. Finalizimi kryhet nga Komitetit Shqiptar i Lidershipit i përbërë nga personalitete të njohura me kompetencë të lartë profesionale dhe kurorëzohet në mbrëmjen gala që prej disa vitesh moderohet nga gazetarja e televizionit Klan, Sonila Meço.

Për vitin 2008 çmimi i kategorisë sektori privat-biznes iu akordua Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit për ringjalljen e infrastrukturës dhe rritjen e punësimit në komunitet. Në kategorinë qeverisje u shpall fituese Posta Shqiptare për krijimin e një modeli të ri drejtimi nëpërmjet reformave. Për kontributin në mbrojtjen e të drejtave të njeriut e kryesisht të fëmijëve e balancës gjinore, çmimi për shoqërinë civile iu akordua Altin Hazizajt, drejtor i CRCA, teksa në kategorinë media u vlerësua showmeni Adi Krasta.

Në 5 vjetorin e ndarjes së çmimeve, plejadës së tyre iu shtua edhe një çmim specifik i karrierës. Ngjallja e shpresës dhe bashkëpunimit mbarëkombëtar me lindjen e shtetit të ri të Kosovës, është një proces që përmban shumë emra e kontribute, mes tyre spikat ai i presidentit Fatmir Sejdiu. Ndikimi i tij në mendimin dhe aksionin politik modern në Kosovë dhe Ballkan e ka shndërruar këtë vend në strehën e atyre që duan demokracinë dhe harmoninë e popujve.

Të 21 fituesit që nga viti 2004 dëshmojnë se çelësi drejt një lidershipi të suksesshëm nuk është autoriteti, por influenca. Nisma e Ko Plan synon të tejçojë mesazhin se kur individëve, institucione kurajoze dhe të afta kërkojnë mundësinë për të ndryshuar gjërat për mirë atëherë shoqëria mund t’i urojë lindjen një lideri të ri./tvklan.al