22 punonjës policie përgjegjës për autostradën Milot-Morinë janë vënë nën akuzë nga Prokuroria e Kukësit, pasi dyshohen për vjedhje duke shpërdoruar detyrën. Masat ndaj tyre që janë 6 në arrest me burg, 4 arrest në shtëpie dhe 12 detyrim paraqitje u ekzekutuan nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, siç duket edhe nga pamjet. Vetëm njëri prej tyre me masë sigurie arrest me burg nuk u ekzekutua dhe u shpall në kërkim.
Nga hetimet disamujore që ka kryer Agjencia e Mbikëqyrjes Policore rezulton se punonjësit e policisë të qarkullimit rrugor, kanë kryer shpërdorim detyre në rastet e konstatimit të shkeljeve nga shoferë me targa të huaja. Përgjatë periudhës nga 1 janari deri në 31 dhjetor të vitit të shkuar, ata konstatonin shkelje të drejtuesve të mjeteve, u merrnin paratë në vend, dhe i jepnin procesverbalet përkatëse shoferëve. Efektivët e policisë duhet të arkëtonin paratë, por i kanë përvetësuar.
Bëhet fjalë për 160 gjoba të vendosura prej tyre. Hetimet nisën pas një kërkesë të shefit të njësisë operacionale për autostradën, i cili iu drejtua sektorit të financës në Policinë e Shtetit për verifikimin, pasi në sistemin e-Gjoba rezultonin debitorë.
Duke ndjekur këtë metodë, ata akuzohen se kanë përvetësuar në mënyrë të paligjshme vlera monetare në shumën prej 2.2 milionë lekësh.
Për operacionin reagoi edhe Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili në rrjetet sociale shkruan se rritja e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit, e cila vetë po kalon një proces ripërtëritje të trupës drejtuese, lidhet ngushtësisht me garantimin e integritetit të punonjësve të organizatës.
Klan News