Pas shumë dilemave, Valbona ka pranuar të jetë pjesë e “Ka Një Mesazh Për Ty”. Ajo shprehet se sigurisht dyshimi i parë se kush mund të fshihet pas ftesës për në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan është vajza, Sanja por ajo e ka bindur se është në Vjenë.

Kur ekrani përpara saj hapet, Valbona sheh dy fëmijët, Frankon dhe Sanjën që janë dedikuar për t’ia bërë këtë 50-vjetor të magjishëm.

Valbona: Këta janë pasuria ime. Unë për këta marr frymë dhe gjithë jetën ia kam kushtuar familjes, për një familje të shëndetshme. Nuk i dua Zotit asgjë, vetëm shëndetin e tyre.

Ardit Gjebrea: Sa bukur është t’i shohësh të dy!

Valbona: Shumë bukur. Jam nëna më e lumtur në botë. Jam e lidhur edhe me Frankon shumë, edhe me gocën, por nuk e di, Frankon e kam lënë pak të lirë se është lidhur me të fejuarën e vet dhe e kam shkarkuar një pjesë të asaj që duhet të bëj.

Ardit Gjebrea: Ka një mesazh, ta dëgjojmë?

Valbona: Po.

Ardit Gjebrea: Urdhëroni!

Franko: Në radhë të parë të kërkojmë ndjesë që unë tjetërsoja çdo gjë për të qenë vërtet një surprizë për ty sot, për ato gënjeshtrat, në thonjëza, të bukura për ditën e sotme. Për një ditë të veçantë për ty dhe për një ditëlindje të veçantë  për ty, 50-vjetorin, por zakonisht ditëlindjet janë edhe vetjake, edhe personale, edhe kënaqësi familjare dhe mbi të gjitha përveç rastit tënd të ditëlindjes që të gjitha vitet te ty duken shumë bukur, do të doja të të shprehja një mirënjohje nga zemra për të gjithë përkushtimin tënd që ke bërë për ne ndër vite. Ty ndoshta mund të të duket shumë çudi sot që unë po e shpreh kaq pastër dhe sinqerisht te ti këtë gjë, duke marrë parasysh edhe akulltësinë që unë kam te vetja ime, por jam mirënjohës dhe faleminderit nga zemra që ti je aty për çdo gjë dhe për çdo hap që ne hedhim në jetë.

Valbona: Shpirt! të lumtë goja zemra e nënës, mbrapa më ke!

Franko: Të të bekojë Zoti me shëndet dhe qofsh sa më gjatë në familjen tonë!

Valbona: Faleminderit shpirt!

Ardit Gjebrea: Sanja!

Sanja: Më e bukura në botë, ti sot bën 50 vjeç por për ne je 20, në lule të rinisë. Franko i përmblodhi të gjitha gjërat, por gjëja  tjetër që dua të të them është që të kërkoj  falje nëse ndonjëherë të  kam mërzitur për ndonjë gjë dhe nuk ta kam dëgjuar fjalën ashtu siç ti më ke këshilluar gjithmonë. Dua të të them që të dua shumë, je gjëja  më e shtrenjtë që unë kam dhe je shoqja ime më e ngushtë./tvklan.al