Ortekët në Alpet Franceze kanë marrë jetën e pesë skiatorëve nga rrëshqitjet e borës që kanë goditur rajonet Savoie dhe Haute-Savoie. Sipas asaj që raporton BBC katër nga viktimat ishin me origjinë norvegjeze dhe një zviceran.

Tre nga norvegjezët u vranë menjëherë, ndërsa e katërta, një grua, vdiq në një spital aty pranë, pasi pësoi hipotermi të rëndë dhe një arrest kardiorespirator.

Ndërkohë mësohet se ata ishin pjesë e një grupi më të madh prej shtatë skiatorësh dhe tre të tjerët kanë mbijetuar të padëmtuar.

“Ishte një ortek me përmasa të mëdha që u shkaktua jashtë zonës së skive,” mësohet të ketë thënë kryebashkiaku i Val-Cenis Jacque Arnoux.

Një ekip prej 10 specialistësh kanë marrë pjesë në operacion, ka thënë një burim policor.

Viktima zvicerane, një grua 30-vjeçare, ishte duke bërë ski me vëllain e saj, i cili u dërgua në spital për analiza dhe babain e saj, i cili nuk u lëndua. Të tre kishin airbag kundër ortekut dhe po bënin ski jashtë pistës në vargmalin malor të masivit Mont Blanc.

Të martën, një skiator braziliano-portugez 55-vjeçar u vra në një ortek në një seksion jashtë pistës Mont Blanc./tvklan.al