Mbështetësit e ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit socialist Fatos Nano, kanë hedhur një hap serioz drejt bashkimit me koalicionin e iniciuar nga kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, “E majta për Integrim”. Vetëm pak ditë pasi u largua nga radhët e grupit parlamentar socialist Petro Koçi, drejtues i Lëvizjes për Politikë Institucionale, e njohur ndryshe si lëvizja Nano, deklaroi se në vend të çiftit Rama-Berisha do të zgjidhte bashkëpunimin me Ilir Metën.
Petro Koçi: “Kjo është një situatë politike shumë e rëndë, e cila nuk ka nevojë për ftesa. Unë mendoj që zoti Nano ashtu si deputetët socialist të vërtetë duhet t’u përgjigjet aspiratave të zgjedhësve të tij në Sarandë. Ne do të mbledhim kolegët drejtues të kësaj lëvizje për të vendosur hapat e mëtejshëm”.
I shoqëruar nga zëdhënësi i kësaj lëvizje Ylli Dylgjeri, Koçi i cili është firmëtari i iniciativës së LSI-së për referendumin kundër ndryshimeve kushtetuese, ka ftuar të gjithë socialistët dhe mbështetësit e këtij grupi që ti bashkohen protestës që do të organizohet nga LSI më 10 maj në Tiranë./tvklan.al
Gazetar: Edian Gjoni