Ishulli turistik Phuket në Tajlandë, një destinacion i jashtëzakonshëm i njohur për plazhet e pacenuara dhe perëndimet mahnitëse të diellit, po përballet me një krizë të rëndë mjedisore.
Shishe plastike dhe kanaçe boshe birre mund të gjenden pafund në shtratin e detit. Megjithatë, mbeturina nuk ka vetëm aty, por në të gjithë ishullin.
Çdo ditë, rreth 1100 ton mbeturina të mbledhura nga qytetet në të gjithë Phuket dërgohen në landfillin e vetëm që gjendet në bregun lindor të ishullit pranë zonës Sapan Hin.
Nga këto, digjen vetëm 700 ton që është edhe kapaciteti maksimal i inceneratorit të vetëm të landfillit, ndërsa pjesa tjetër vazhdon të derdhet në mënyrë të vazhdueshme.
Ngjitur me landfillin ndodhet një komunitet prej 935 banorësh, të cilët vuajnë pasojat e kësaj krize në menaxhimin e mbetjeve për shkak të numrit të turistëve pas pandemisë dhe zhvillimit të shpejtë të qytetit.
![](https://tvklan.al/wp-content/uploads/2025/02/mbetje-5-1024x512.jpg)
![](https://tvklan.al/wp-content/uploads/2025/02/ishulli-1024x489.jpg)
![](https://tvklan.al/wp-content/uploads/2025/02/mbetje-4-1024x495.jpg)
![](https://tvklan.al/wp-content/uploads/2025/02/mbetje-3-1024x496.jpg)
![](https://tvklan.al/wp-content/uploads/2025/02/foto-tjeter-1024x489.jpg)
![](https://tvklan.al/wp-content/uploads/2025/02/mbetje-1-1024x513.jpg)
![](https://tvklan.al/wp-content/uploads/2025/02/mbetje-1024x510.jpg)
![](https://tvklan.al/wp-content/uploads/2025/02/Capture-2-1024x517.jpg)
Midis tyre është Vassana Toyou, një banore 41-vjeçare, shtëpia e së cilës ndodhet pikërisht përballë landfillit. Për agjencinë e lajmeve Reuters ajo ankohet për pamjen e pakëndshme nga shtëpia e saj, shumë larg nga ajo e dikurshme ku ishte një pamje e qetë e kodrave të vogla të cilat u shndërruan në male me mbeturina brenda vetëm 1-2 muajsh.
“Nuk ka jetë jashtë shtëpisë, qëndrojmë vetëm në shtëpi. Ndonjëherë në shtëpi, të duhet të mbash një maskë për shkak të erës. Kur era është shumë e fortë, duhet të mbash një maskë dhe të ndezësh gjatë gjithë kohës kondicionerin dhe pastruesin e ajrit. Fatura e energjisë elektrike është shumë e lartë çdo muaj, sepse më duhet ti ndez gjatë gjithë kohës”, tha Vassana Toyou.
Vassana, e cila lindi fëmijën e saj të tretë tre muaj më parë, shpjegon se të gjithë fëmijët e saj kanë alergji dhe nuk kanë mundësi të bëjnë aktivitete në natyrë si të gjithë fëmijët e tjerë në Tajlandë.
“Unë dua që fëmijët e mi të vrapojnë dhe të luajnë jashtë. Dua që ata të marrin ajër të pastër. Ata nuk dalin fare. E vogla, e cila sapo ka lindur tre muaj më parë, nuk ka qenë kurrë jashtë. Sapo hipim në makinë, duhet të dalim nga fshati. Nuk ulemi kurrë këtu”, tha Toyou.
Teksa Vassana dhe shumë të tjerë si ajo ankohen për erën e rëndë të mbetjeve, autoritetet po përpiqen të gjejnë zgjidhje për problemin.
Për shkak të rritjes së numrit të turistëve, presioni ndaj autoriteteve po rritet.
Sipas Suppachoke Laongphet, nënkryetar i bashkisë Phuket, vëllimi i plehrave gjatë sezonit, para Covid-19, nuk arriti kurrë në 1000 në ditë.
Megjithatë, kjo shifër tani është rritur në 1000 deri në 1100 ton në ditë. Ekziston shqetësimi në rritje se kjo krizë mund të rëndohet gjatë pikut të sezonit turistik.
“Rritja e sektorit të turizmit në këtë qytet ka qenë shumë më e shpejtë se sa pritej. Prandaj, kjo mund të sjellë një krizë për sa i përket menaxhimit të mbeturinave brenda vetë provincës Phuket, të cilën bashkia duhet ta zgjidhë. Ne po flasim për një krizë, ose në rastin më të keq, duhet të përgatisim një zonë për të akomoduar 1400-1500 tonë mbeturina në ditë në 2-3 vitet e ardhshme, derisa të ndërtohet landfilli i dytë”, tha Suppachoke Laongphet.
Rritja e mbetjeve nuk vjen vetëm nga sektori i turizmit, por edhe i ndërtimit, të cilët janë zhvilluar pas periudhës së pandemisë.
Aktualisht, autoritetet po bashkëpunojnë me kompani private dhe qëllimi i tyre është të reduktojnë mbetjet deri në 200 mijë tonë brenda një viti.
Ndërkohë, po ndërtohet një incenerator i dytë, që pritet të përfundojë në fund të vitit 2026 ose në fillim të vitit 2027, me një kapacitet ditor prej 500 tonësh. Për sa i përket reduktimit të mbetjeve, qeveria tajlandeze synon gjithashtu të reduktojë mbetjet me 15% brenda 6 muajve.
Megjithatë, me gjithë përpjekjet e bëra, eksperti i menaxhimit të mbetjeve beson se duhet bërë më shumë në këtë drejtim.
“Unë mendoj se autoritetet duhet të fokusohen në dy gjëra. E kam fjalën për infrastrukturën, rritjen e kapacitetit për menaxhimin e mbetjeve. Unë mendoj se do të ishte mirë që ata të mos harrojnë pjesën që duhet të përqendrohen gjithashtu në reduktimin e mbetjeve dhe ndarjen e mbetjeve, sepse nëse vazhdoni të zgjeroni më shumë inceneratorë mbetjesh, nuk mendoj se kjo do të ishte zgjidhja e vetme”, tha Panate Manomaivibool.
Kohët e fundit, Këshilli Global i Turizmit të Qëndrueshëm, një organ ndërkombëtar që përcakton standardet për udhëtimin dhe turizmin e qëndrueshëm, kreu një udhëtim vlerësimi pesë-ditor në Phuket në nëntor.
Rezultatet e tyre paraprake shërbejnë si një udhëzues për qytetin për të arritur objektivin e tij të statusit të ‘Destinacionit të Turizmit të Qëndrueshëm’ deri në vitin 2026, duke u bërë provinca e parë në tokën tajlandeze që e bën këtë. Edhe pse bashkëpunimi i fortë ndërmjet sektorëve të ndryshëm u vu re si një faktor pozitiv nga këshilli Global i Turizmit të Qëndrueshëm, nevojiten disa fusha përmirësimi.
“Ajo që mësuam është se të paktën 70% e njësive të akomodimit nuk janë të regjistruara. Kështu që hotelet e regjistruara janë të kontrolluara dhe veprojnë në bazë të rregullave. Por për hotelet e paregjistruara lindin disa pyetje, si menaxhimi i mbetjeve dhe ujit, por edhe shumë gjëra të tjera, nuk janë të rregulluara. Pra, nëse diçka ka ndodhur, kush do të kritikohet? Qeveria”, tha Mihee Kang.
Njëkohësisht, një organizatë joqeveritare e njohur si ‘Fondacioni i Zhvillimit të Turizmit të Qëndrueshëm’, ka nisur një iniciativë për të ndihmuar në uljen e mbetjeve organike me 500 kilogramë në ditë.
Kjo nismë, e bazuar në qytetin e vjetër të Phuket, synon jo vetëm të krijojë një precedent në përpjekjet për reduktimin e mbetjeve, por edhe të reduktojë gazrat serrë të prodhuara nga mbetjet organike, të cilat përbëjnë 60% të mbetjeve që shkojnë në landfill.
Fondacioni i mbështet shpresat tek partnerët e tij që do të ndërmarrin veprime serioze.
“Ne si fondacion nuk mund të punojmë vetëm. Varet edhe nga partnerët tanë. Sa të përkushtuar janë ata në këtë udhëtim dhe sa seriozisht duan që Phuket të certifikohet si një ‘Destinacion i qëndrueshëm i turizmit’”, tha Bhummikitti Ruktaengam
Phuket, ishulli më i madh i Tajlandës, është një strehë perfekte për adhuruesit e plazhit, me një gamë të larmishme brigjesh që plotësojnë çdo shije.
Nga të gjalla dhe plot lëvizje deri te të izoluara dhe të qeta, plazhet e Phuket ofrojnë një sërë përvojash në sfondin e ujërave bruz dhe rërës së artë, por ato mund të jenë thjesht një kujtim i bukur i së kaluarës nëse autoritetet nuk veprojnë në kohë.
Klan News