Mediat greke vijojnë të përcjellin detaje për grupin kriminal që u shkatërruar javën e shkuar në fushën e falsifikimit ë dokumenteve. Kështu, një tjetër personazh i botës së krimit, përdorte mjete identifikimi të siguruara nga ky rrjet, ku të përfshirë ishin edhe zyrtarë policie. Bëhet fjalë për Bledar Jambelli, 38-vjeçarin i cili akuzohet si porositësi i vrasjes së komisarit të policisë Artan Cuku në Tiranë, në 2017-n, i cili aktualisht ndodhet në burg dhe autoritetet greke kanë refuzuar kërkesën e palës shqiptare për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
“Në Prill të 2020, Bledar Jambelli me pseudonimin “Ricardo Muho” me aktivitet kriminal në Spanjë e Greqi, doli para hetuesve për kontrabandë. Muho ndodhej në burg në atë kohë, i akuzuar për vrasjen e komisarit të policisë Artan Cuku në Tiranë. Por deri para arrestimit të tij nga autoritetet greke, në Dhjetor të 2018-s, ai fshihej në Athinë dhe përdorte një ID dhe pasaportë false, me emrin Christos Hamkidi. Këto dokumente ishin siguruar prej tij në këmbim të 35 mijë eurove tek rrjeti i falsifikimit të dokumenteve, i shkatërruar nga autoritetet greke javën që lamë pas”, shkruan e përditshmja Kathimerini.
E përditshmja greke thotë po ashtu se Jambelli nuk e kishte fshehur faktin se përdorte identitete false e madje nuk ngurroi që t’i jepte autoriteteve edhe emrin e një prej drejtuesve të këtij grupi kriminal, një 62-vjeçar nga Kazakistani.
Të paktën 20 persona u arrestuan në Greqi mbrëmjen e së martës gjatë aksionit policor për të goditur grupin e falsifikatorëve të pasaportave. Grupi i falsifikatorëve u ofronin shtetasve të huaj letërnjoftime dhe pasaporta të falsifikuara me çmime që fillonin nga 30 mijë Euro e lart. Shumica e atyre që përfitonin dokumente false ishin persona me precedentë penal. Nga hetimet ka rezultuar se grupi i falsifikatorëve ka nisur aktivitetin që nga 26 Prilli i vitit 2013 dhe përbëhej nga grekë, ish-punonjës policie, policë dhe nëpunës të tjerë të shtetit grek. 9 prej të arrestuarve janë policë në detyrë. Shumica e oficerëve të policisë të përfshirë thuhet se janë të lidhur me komisariatet në pjesën perëndimore të rajonit të Atikës në Athinë.
Përveç Bledar Jambelli, nga ky grup i falsifikatorëve sipas mediave greke kishte marrë pasaportë të rreme edhe 37-vjeçari shqiptar Mario Diamanti, biznesmeni i cili u vra më 16 Nëntor në një karburant në Athinë. Ai u qëllua me pistoletë me silenciator nga brenda një makine BMW Seria 1 ngjyrë e zezë. /tvklan.al