Gjykata Administrative do të marrë vendim më 8 Shkurt
1 milion Euro dëmshpërblim kanë vlerësuar ekspertët se duhet që të marrë familja e ish-kryekomisarit të vrarë Artan Cuku. Ngjarja ka ndodhur në 7 Prill të 2017-ës.
Gjykata Administrative ka përcaktuar ekspertë të pavarur për këtë çështje. Të afërmit e Artan Cukut kanë paditur Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe Ministrinë e Brendshme. Ata pretendojnë se kryekomisari u vra për shkak të detyrës dhe neglizhencës nga ana e uniformave blu.
Në padi familjarët kishin kërkuar 30 milionë Lekë dëmshpërblim. Në seancën e datës 8 Shkurt gjykata do të dëgjojë ekspertët dhe do të vendosë nëse do të pranojë t’i japë familjes së Cukut 1 milion Euro dëmshpërblim. Vrasja e Artan Cukut u porosit nga Bledar Jambelli dhe bashkëpuntor i tij ishtë Kristaq Leci. Emrat e dy të dyshuarve i ka nxjerrë bashkëpuntori i drejtësisë Mikel Shallari.
Ky i fundit është dënuar me 10 vite burg si ekzekutor. Jambelli dhe Leci u arrestuan në Greqi gjatë 2019. Po në të njëjtin vit ata mundën që të fitojnë lirinë në vendin fqinj, pasi u refuzua kërkesa e autoriteteve tona për ekstradim.
Bledar Jambelli e kishte paralajmëruar ekzekutimin e kryekomisarit. Përpalsja e tyre ka nisur në 2012 kur Artan Cuku ishte Drejtor i Policisë së Vlorës dhe firmosi arrestimin e Jambellit, pasi dyshohej se ishte i përfshirë në një ngjarje kriminale në Vlorë.
Klan News