Pas denoncimit të bërë nga kryedemokrati Lulzim Basha, ka reaguar Policia e Fierit dhe ka sqaruar pengmarrjen e një qytetari.

Në një njoftim për mediat, Drejtoria Vendore e Policisë së Fierit thotë se ngjarja nuk është mbajtur e fshehtë, por është publikuar në ëeb në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit.

Në njoftim thuhet se një 20-vjeçar me iniciale F.L bëri denoncim se ishte dhunuar dhe marrë peng nga disa persona në lagjen “1 Maji” të Fierit, ndërsa kanë nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.

Reagimi i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier:

Në lidhje me statusin e publikuar nga Kryetari i Partisë Demokratike në rrjetin social facebook ku akuzohet Policia e Fierit për fshehjen e një ngjarje, informojmë se ngjarja në fjalë nuk është fshehur, por sipas procedurës standarde të punës është publikuar dhe mund të gjendet lehtësisht si çdo njoftim tjetër në faqen zyrtare online të Policisë së Shtetit.

Konkretisht ngjarja e pasqyruar në ëeb “Më datë 03.10.2017 u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, për veprën penale “Heqje të paligjshme të lirisë” parashikuar nga neni  110/2 i Kodit Penal, si dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, pasi më datë 03.10.2017 është paraqitur dhe ka bërë kallzim shtetasi F.L., 20 vjeç, banues në fshatin Petovë Fier, se në datë 02.10.2017, në lagjen “1 Maj” Fier është rrahur nga disa persona dhe është mbajtur peng për disa orë në një banesë”.

Policia e Shtetit është e vendosur të kryejë detyrën me përgjegjësi e seriozitet dhe të ndëshkojë çdo paligjshmëri e këdo që shkel ligjin. E për këtë arsye, Policia e Shtetit fton çdo qytetar dhe parti politike të kërkojë informacion duke u garantuar përgjigje në kohë, për të shmangur pasaktësitë në mos abuzimet me faktet.

Ndërkohë, ditën e djeshme Lulzim Basha denoncoi se pengmarrësi është Renato Çami, njeri i afërt me Partinë Socialiste në Fier.

/tvklan.al