Gazetarja Glidona Daci raporton se Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Lulzim Bashës për pezullimin e vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri, që i dha vulën e PD-së, Sali Berishës.

Kujtojmë se për këtë vendim, Berishës i dha të drejtë edhe Gjykata e Apelit.

Pas një përplasje 3-vjeçare në kampin opozitar, në Qershor të këtij viti, Gjykata e Apelit vendosi se kryetari legjitim i PD-së është ish-kryeministri Berisha.

Ky i fundit u rikthye fuqishëm në politikë pas vendimit të Lulzim Bashës për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i PD-së në 2021-in.

Por pavarësisht se Gjykata e Apelit ia dha vulën e PD-së Berishës, Lulzim Basha kishte paralajmëruar rekursin që në Korrik, kërkesë që u rrëzua këtë të martë.

Kujtojmë se Shkalla e Dytë la të paprekur vendimin e dhënë më 25 Mars të 2022 nga gjyqtari Agron Zhukri, i cili miratoi ndryshimet statutore të Kuvendit kombëtar të PD-së mbajtur në 11 Dhjetor 2021 thirrur nga Komisioni i Rithemelimit, rrjedhimisht edhe të gjitha vendimet që u morën në Kuvend, shkarkimi i kryetarit në atë kohë Lulzim Bashës dhe ndryshimet në strukturën e partisë.

/tvklan.al