Pavarësisht se Gjykata e Apelit i dha vulën e PD-së Sali Berishës më 11 Qershor të këtij viti, Lulzim Basha nuk e ka ndërmend të heqë dorë. Përmes një postimi në Facebook ai shkruan se do bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë për këtë vendim të cilin e cilëson “skandaloz”.
“Zbardhja e vendimit skandaloz të 11 qershorit, i hapë rrugë rekursit tonë të menjëhershëm në Gjykatë të Lartë. Ne nuk e pranojmë padrejtësinë, Shqipëria meriton më shumë”, shkruan Basha.
Te vendimi i zbardhur ditën e sotme, Gjykata e Apelit konstaton se ankimi i kryer nga Enkeled Alibeaj ishte i pavlefshëm pasi ai ka firmosur si kryetar i PD. Duke marrë parasysh datat, autorizimi që Basha i ka dhënë Alibeajt për të drejtuar partinë nuk ka vlerë juridike pas dorëheqjes së tij. Rrjedhimisht, trupa gjykuese ka vlerësuar të arsyeshme të legjitimojë Sali Berishën si kryetar të forcës opozitare
“Me dorëheqjen publike të z.Lulzim Basha në datën 21.03.2022 autorizimi i lëshuar nga ky i fundit për z. Alibeaj ka mbaruar juridikisht dhe nuk ka qenë më i aftë të prodhojë asnjë pasojë juridike. Autorizimi i z.Lulzim Basha i datës 15.09.2021 nuk kishte më vlerë juridike pas datës 21.03.2022, pas dorëheqjes së tij publike. Gjykata e apelit vlerëson se z. Alibeaj nuk ka pasur legjitimim procedural në përfaqësimin e ankuesit PDSH në gjykim dhe në paraqitjen dhe nënshkrimin e aktit “Ankim”, thotë Gjykata.
Kujtojmë se verdikti i Gjykatës së Apelit erdhi pas afro 3 vitesh zvarritje. PD më në fund ka një kryetar legjitim dhe ai është ish-kryeministri Sali Berisha, i cili aktualisht ndodhet në “arrest në shtëpi”. Megjithatë kjo se ka ndaluar atë të jetë aktiv në politikë, njëjtë si para caktimit të masës së sigurimit.
/tvklan.al