Policia e Vlorës ka dhënë të tjera detaje për vdekjen e 68 vjeçarit Bashkim Durmishi këtë të Dielë. Në një njoftim të dytë, pas kryerjes së ekspertizës mjeko-ligjore të trupit të pajetë, mësohet se kemi të bëjmë me vdekje natyrale dhe jo grabitje me dhunë siç u raportua fillimisht.

Policia thotë po ashtu se dëmtimi në fytyrën e viktimës mund të jetë shkaktuar nga një kafshë që ai mbante në shtëpi.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më herët, lidhur me gjetjen pa shenja jete të shtetasit B. D., 68 vjeç, në banesën e tij në lagjen “10 Korriku”, Vlorë, ju informojmë se: Nga këqyrja e trupit të shtetasit B. D, në morgun e Spitalit Rajonal Vlorë, nga grupi hetimor, në përbërje të të cilit ishin eksperti mjekoligjor dhe eksperti kriminalist, nuk u konstatuan dëmtime trupore që të kenë sjellë vdekjen. Paraprakisht, dyshohet për vdekje natyrale. Dëmtimi në fytyrë dyshohet të jetë shkaktuar nga një kafshë shtëpiake që viktima mbante në shtëpi. Kafsha shtëpiake u konstatua edhe nga shërbimet e policisë në momentin e mbërritjes në vendngjarje. Vijojnë veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, njofton Policia.

Mbasditen e sotme u raportua se i ndjeri mund të ishte grabitur e më pas vrarë, për shkak të një dëmtimi që kishte marrë në nofull, mirëpo kjo pistë është hedhur poshtë nga Policia.

Ndërkohë gazetarja e Klan News Gerta Haskaj bëri me dije se ishin fqinjët e të moshuarit ata që kishin lajmëruar forcat policore.

/tvklan.al