Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Policia e Vlorës ka ndaluar grupin që dyshohet se ka organizuar grabitjen e Klajdi Shehut, nipit të biznesmenit të njohur vlonjat Sulo Shehu. Pas lirimit të Klajdit, forcat e policisë së qytetit, me një punë të kujdesshme kanë mundur të ndalojnë Besnik Saraçin, Luan Saraçin, Elton Dervishin, Besnik Gjatën dhe Perlat Kodhelin, punonjës i policisë së Vlorës. Ndërsa i gjashti, Julian Metushi është shpallur në kërkim.

Sipas informacioneve zyrtare, policia ka arritur në ndalimin e këtij grupi, pasi kanë përdorur teknika të veçanta të hetimit, duke përfshirë dhe përgjimin e telefonave nëpërmjet bashkëpunimit me kompanitë e telefonisë celulare. Për të arritur në kapjen e këtij grupi prej 6 personash, nga të cilët, asnjë prej tyre nuk rezulton i dënuar më parë, policia ka kontrolluar në zonën e Pyllit të Sodës, të Svërnecit dhe Himarës.

Operacioni për kapjen dhe ndalimin e grabitësve të Klajdi Shehut, zgjati 5 ditë dhe u drejtua nga drejtori i policisë së Vlorës, nënkolonel Neritan Nallbati dhe kryeprokurori i Vlorës Petrit Çano. Grupi hetimor ka marrë në pyetje të ndaluarit rreth orës 16 dhe të hënën pritet të merret masa e arrestit.

Burime të rezervuara njoftojnë, se të ndaluarit nga pyetjet e para, kanë pranuar rrëmbimin e Klajdit, me motiv përfitimin e parave./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço