Lajme Arkiva 2003

Policia greke ka rrahur barbarisht 3 emigrantë shqiptar njërit prej të cilëve mjekët elbasanas i kanë hequr shpretkën e nxjerrë jashtë funksionit nga dhunë. L.H 45 vjeç babai i 5 fëmijëve, vëllai i tij Mili 43 vjeç babai i një fëmije dhe Rr.P. 60 vjeç nga Elbasani, janë masakruar nga policia greke dje nga ora 5:00 e mëngjesit në afërsi të kufirit grek teksa po ktheheshin për në shtëpi.

6 policët pasi i kanë rrahur barbarisht i kanë dërguar në burgun në afërsi të Prespës ku i kanë mbajtur vetëm 1 orë e më pas i kanë nxjerrë të pafajshëm pa u dhënë asnjë shpjegim.

Emigrantët mezi kanë mundur të vijnë deri në Elbasan ku kanë shkuar në urgjencën e spitalit kirurgjik. Analiza dhe ekoja e kryer për L.H. kanë treguar për hemorragji të brendshme si pasojë e dëmtimit të shpretkës. L.H. pas operacionit tregon për dhunën e ushtruar nga policët grek.

“U nisëm herët në mëngjes, arritëm deri në një farë vendi. Në fshatin e parë të kufirit na kapi policia, na rrahën. Isha unë bashkë me vëllain e një tjetër. Na rrahën me shkop druri e me shkelma”.

Në orën 10 ai është futur në sallën e operacionit ku mjekët i kanë hequr shpretkën e dëmtuar. Mjekët thonë se jeta e tij është jashtë rrezikut ndërsa familjarët thonë se do e denoncojnë këtë dhunë të policisë greke te të gjithë organizmat ndërkombëtar./tvklan.al