Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Policia e Vlorës ka filluar tashmë një operacion antidrogë, që synon asgjësim të rrënjëve kanabis para se fshatarët të fillojnë mbjelljet e stinës. Kanabis sativa rezultoi në bazë të të dhënave operative të policisë, por dhe nga rezultatet e operacioneve për asgjësim të bimës së tharë, si biznesi kryesor i fshatarëve të Vlorës dhe Fierit, të cilët kishin mbjellë shumicën e tokave bujqësore me këtë bimë.    

Kështu në orët e mbrëmjes, në saj të një kontrolli, policia e Vlorës ka arritur të kapë dhe të asgjësojë në një fshat 40 km larg qytetit 700 kubik me bimë narkotike. Rrënjët ishin të kapshme për mbjellje dhe në momentin e bllokimit, policia i gjeti ato në një nga ullishtat e fshatit Romës.

Në këtë rreth, për të bërë të qartë tek popullsia e zonave fshatare, se policia tashmë nuk do të lejojë asnjë shans të kultivimit të këtyre lëndëve, forcat blu janë shpërndarë në kontrollet e shtëpive, por dhe të parcelave bujqësore ku fillojnë gradualisht tentativat për mbjelljet e para.

Operacioni anti-bimëve narkotike i filluar nga policia e rretheve Vlorë, Fier, Korçë, Shkodër dhe Malësi e Madhe, jo pa shkak ishte planifikuar të zbatohej në sezonin Shkurt-Mars, pasi ky është momenti që bimët e thara grumbullohen dhe transportohen, si dhe fillon përgatitja e fshatarëve për mbjellje të tjera të kanabisit./tvklan.al