Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Forcat e komisariatit të policisë së Vlorës, kanë gjetur të zhytur në ujë, dhjetëra kilometra larg Vlorës, automjetin tip Ford pa targa, me të cilin është transportuar natën e rrëmbimit Klajdi Shehu.
Informacionet e vendndodhjes së automjetit të rrëmbimit të pengut, të dhëna nga autorët në policinë e Vlorës, kanë bërë të mundur, zbulimin e vendndodhjes së makinës. Sipas këtyre informacioneve, automjeti është hedhur në liqen në fshatin Amunicë, për të humbur gjurmët po në të njëjtën natë që u krye edhe pengmarrja.
Pas zhytjes së polumbarëve 15 metra në thellësi të rezervuarit dhe identifikimit dhe nxjerrjes nga uji të makinës, ekspertët e policisë së Vlorës gjetën brenda në makinë një automatik tip Zastva me krehërin e fishekëve të vendosur, si edhe një maskë, me të cilën mendohet se i është mbuluar fytyra pengut Klajdi Shehu. Si makina, ashtu edhe automatiku e maska, janë bllokuar nga policia me cilësinë e provës materiale.
Sipas deklarimeve të para të dhëna në polici, nga njëri prej të arrestuarve Besnik Gjata, i cili është edhe ideatori dhe nxitësi i pengmarrjes, automjeti tip Ford është përdorur për rrëmbimin, e më pas transportimin e Klajdit, nga qyteti i Vlorës, deri në afërsi të fshatit Vajzë.
Itinerari i lëvizjes së rrëmbyesve me të njëjtën makinë, ku sipas burimeve policore mendohet të kenë qenë tre prej autorëve Luan Saraçi, Besnik Saraçi dhe Elton Ismaili, ka përfshirë një rrugë të gjatë, që nga qyteti i Vlorës. Pasi kanë përshkruar shumë kilometra, pengu është lënë në një shtëpi në fshatin Vajzë. Ndërsa automjeti ka udhëtuar edhe për 12 kilometra në Amunicë, ku dhe është fundosur.
Ndërsa makina u hodh në rezervuar për të humbur gjurmët, pengu një ditë më pas u zhvendos në një tjetër shtëpi në fshatin Sherishtë. Pas ditësh kërkime, policia e Vlorës arriti të zbulojë edhe banesën e braktisur, ku u mbajt peng për disa ditë Klajdi Shehu. Ajo ndodhej fare pranë shtëpisë së njërit prej organizatorëve. Sipas policisë së Vlorës, Besnik Gjata kishte ardhur me synime të qarta nga Italia, për të marrë peng një pjesëtar të familjes Shehu, me qëllimin e vetëm përfitimin e parave./tvklan.al
Gazetare – Eva Paja