Një ditë pas atentatit në Dobraç të Shkodrës që la pas 3 të vdekur dhe 1 të plagosur, vendi i ngjarjes ishte sërish i rrethuar nga shiritat e skenës së krimit.
Nga hetimet e deritanishme dhe nga administrimi i pamjeve të kamerave të sigurisë në vendngjarje, hetuesit besojnë se në atentat janë përfshirë 3 persona, njëri në rolin e drejtuesit të makinës ‘Range Rover’ dhe dy të tjerë në rolin e qitësit.
Por pavarësisht pamjeve të siguruara, hetuesit nuk kanë arritur ende të identifikojnë asnjë prej autorëve.
Policia ka marrë në pyetje mbi 10 persona, përfshi këtu edhe Safet Bajrin, të cilët dyshohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Por pasi kanë dhënë deklarimet e tyre ata janë lënë sërish të lirë.
Nga rindërtimi i skenës së krimit dhe sekuestrimi i gëzhojave në rrugë, burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se fillimisht autorët e kanë qëlluar makinën tip Benz me të cilën udhëtonte Hamza Lici dhe Arlind Bushati nga pas dhe pastaj duke lëvizur paralelisht me të.
Në përpjekje për t’u shpëtuar plumbave makina e drejtuar nga Lici devijoi nga rruga dhe përplasi një çift bashkëshortësh që po lëviznin me një motorçikletë.
Nga plumbat në vendngjarje humbi jetën Hamza Lici, ndërsa Arlind Bushati mbeti i plagosur në kokë dhe humbi jetën disa orë më vonë në spital.
Nga përplasja e motorit humbi jetën Flutura Basha, ndërsa bashkëshorti Bashkim Basha ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Disa orë pas ngjarjes, policia gjeti në fshatin Golem në Shkodër, të djegur plotësisht dhe dy armë zjarri automatike, që dyshohet se janë përdorur në ngjarje.
Gjatë këqyrjes së makinës tip Benz me të cilën po lëviznin Lici dhe Bushati policia gjeti tre armë zjarri pistoletë dhe disa gëzhoja që sipas hetuesve është tregues që në vendin e ngjarjes ka pasur shkëmbim zjarri me autorët, të cilët dyshohet se kanë qenë të paktën dy.
Viktima Hamza Lici 23 vjeç është vëllai i Ibrahim Licit, i akuzuar se është autor i vrasjes së Endri Mustafës, në Maj të 2021.
Ndërsa 32-vjeçari Arlind Bushati është djali i Xhemal Bushatit, ish-kryetar i Këshillit Bashkiak dhe ish-kandidat për Bashkinë e Shkodrës në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit të vitit 2022.
Tv Klan