Këtë të hënë në seancën parlamentare diskutohet në lidhje me projekt-rezolutën antikorrupsion të propozuar nga PS.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi tha se reforma në drejtësi është akti më historik i një partie politike në Shqipëri. Ai tha se drejtësia vepron mbi pushtetin dhe është e pavarur nga pushteti politik.
Mirëpo për t’u përballur akoma më shumë me korrupsionin sipas tij duhen ndërmarrë masa shtesë. Prandaj, sipas Çuçit, projekt-rezoluta angazhon parlamentin në ngritjen e një vale të re reformimi institucional.
“Për ta adresuar të vërtetat në këtë rast ato që nuk na pëlqejnë që lidhen me korrupsionin dhe praninë ende shqetësuese të korrupsionit dhe domosdoshmërinë e forcimit të sundimit të ligjit, ne duhet të angazhohemi sot për ngritjen e një vale të re reformimi institucional me përfshirjen e të treja pushteteve të pavarura kushtetuese të kësaj republike. Kjo është domosdoshmëri nga procesi i diagnozës që KE ka bërë për Shqipërinë dhe si për detyrat e procesit në përgjithësi të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Në BE nuk do të integrohet qeveria e Shqipërisë. Në BE do të integrohet shteti i tërë shqiptar me legjislacionin dhe institucionet e veta. Përveç qeverisë në tryezën e anëtarësimit të negocimit do të jenë 27 institucione të pavarura që kanë detyrime konkrete dhe kanë në thelb rekomandime për thellimin e luftës ndaj korrupsionit”, tha Çuçi.
Kreu i grupit parlamentar të socialistëve tha se projekt-rezoluta i hap rrugë krijimit të një komisionit të posaçëm parlamentar me të gjitha palët për të adresuar dhe analizuar hapat që duhen ndërmarrë për thellimin e reformimit të shtetit shqiptar.
“Shpresoj që me miratimin e rezolutës dhe me dëshirën për ta miratuar të gjithë së bashku, qoftë me ndonjë sugjerim apo rekomandim që do keni ne sot i hapim rrugën së një ngritje të një komisioni të posaçëm parlamentar si një platformë e përbashkët me aleatët tanë strategjikë BE-në dhe SHBA-në, me ekspertizën më të mirë vendase dhe ndërkombëtare me të gjitha institucionet e pavarura, shoqërinë civile, botën akademike, grupet e interesit për të adresuar jo më tashmë dallimet që do të vazhdojnë në luftën tonë politike, as interesat tona të paafrueshme partiake, por procesin e mëtejshëm të shtetbërjes europiane të Shqipërisë duke analizuar me sa më shumë objektivitet të gjitha hallkat e shtetit në këtë fazë të re si dhe identifikuar hapat dhe masat që duhen ndërmarrë për thellimin e reformimit të shtetit shqiptar”, tha ai./tvklan.al