Kishte rënë duke përplasur kokën dhe shpinën, pasi kishte tentuar që të hipte në një tren në lëvizje, në stacionin e Sestri Levante dhe sot, pas gati 4 muajsh i riu shqiptar ka ndërruar jetë.
Albion Kapedani, 29-vjeç ndërroi jetë mëngjesin e kësaj të premteje, në spitalin e San Martino të Genovas, për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë.
Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, kishte qenë një pasagjer në tren që kishte dëshmuar të gjithë ngjarjen e rëndë dhe kishte tërhequr frenat e dorës së trenit, në raste emergjence.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 21 Shtator të vitit të shkuar. Hetimet për këtë ngjarje vijojnë që prej asaj kohe dhe me vdekjen e të riut ato pritet që të marrin të tjetër rrjedhë. Nën hetim mësohet se janë makinisti dhe dy punonjës të tjerë të trenit.
Qëllimi i organit të akuzës është që të kuptojë nëpërmjet dëshmive të ndryshme dhe ndihmës së telekamerave në stacion nëse 29-vjeçari mbeti mes dyerve të trenit, pra nëse treni ishte vënë në lëvizje pa mbyllur më parë dyert.
Pritet që tashmë, autopsia në trupin e Kapedanit të japë më shumë të dhëna për hetuesit.
/tvklan.al