Lajme Arkiva 2003
Presidenti i Republikës Alfred Moisiu i ka vijuar takimet që kanë si qëllim marrjen e masave për sigurimin e zgjedhjeve të lira me përfaqësues të Shërbimit Informativ Shtetëror. Në takim qenë të pranishëm edhe prokurori i përgjithshëm Theodhori Sollaku si dhe kryetari i komisionit parlamentar për rendin dhe SHISH-in Neritan Ceka.
“Në 13 vjet tranzicion, ky shërbim mjaft i rëndësishëm ka dështuar në përmbushjen e detyrave kushtetuese për shkak të politizimit të skajshëm dhe shmangies së detyrave të përcaktuara me ligj”, ka thënë presidenti Moisiu.
Edhe në këtë takim ai ju referua kritikave të ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2001 në vendin tonë. Duke kërkuar që të qëndrojnë larg politikës kreu i shtetit tha. Për mua si president, për ju si punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror, për policinë e shtetit dhe organet e tjera kushtetuese dhe shtetërore nuk ka dhe nuk duhet të ketë rëndësi se cila forcë politike do të fitojë në zgjedhje.
Kushdo që do të veprojë në kundërshtim me detyrën dhe ligjin do të mbajë përgjegjësi direkte para ligjit tha presidenti duke kërkuar nga krerët e Shërbimit Informativ Shtetëror të mbajë qëndrime të rrepta ndaj punonjësve që abuzojnë me detyrën./tvklan.al