Nën kujdesin e presidentit të republikës, Bamir Topi, dhe Zonjës së Parë, Teuta Topi në datën 28 Tetor u zhvillua ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike Speciale për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Presidenti Topi i dorëzoi simbolikisht përfaqësuesit të ekipit të fëmijëve flakën olimpike duke e konsideruar këtë moment jo vetëm si një aktivitet sportiv, por dhe si një shprehje mjaft e bukur vullnetit që vjen pikërisht nga fëmijët.
Bamir Topi: “Ne këtë ditë e konsiderojmë si një ditë të veçantë, një ditë speciale, një ditë që përveçse arrin të marrim dhe të japim një mesazh shumë të rëndësishëm për këta fëmijë, por nga ana tjetër këtë ditë nuk mund ta kalojmë pa emocione.”
Nga Pallati i Brigadave ceremonia vijoi në qendrën “Don Bosko”, ku parakaluan atletë të ardhur nga nëntë rrethe të vendit.
Aktivitetin e përshëndeti dhe zonja Liri Berisha, përfaqësues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar të trupit diplomatik dhe Ministrisë së Kulturës.
Pas tre ditë aktiviteti në qendrën “Don Bosko” lojërat olimpike speciale u mbyllën ku u shpërndanë dhe medalje për fituesit.
Programi i lojërave përmbante gara në sporte të ndryshme si futboll, basketboll, atletikë, ping pong dhe bowling duke mbledhur fëmijë nga shumë rrethe të vendit.
I gjithë aktiviteti u financua nga fondacioni Vodafone Albania, drejtori i së cilit u shpreh se këto lojëra do të organizohet dhe në vitet e ardhshme për t’u kthyer kështu në një traditë.
Harris Broumidis: “Këto lojëra kanë përçuar kudo mesazhin se nuk ka pengesa që nuk mund të kalohen. Secili prej jush ka konkurruar më së pari me pasionin e tij dhe dëshira për të fituar ishte po aq e madhe sa edhe dëshira e çdo atleti tjetër kudo në botë. Na keni bërë të ndihemi krenarë. Jeni të gjithë fitues me pjesëmarrjen tuaj në këtë aktivitet. E gjithë kjo eksperiencë si edhe shpirti i garës do t’ju shoqërojnë në të ardhmen. Kur bashkohemi të gjithë në aktivitete sportive, kulturore e sociale si këto lojëra kuptojmë se sa shumë kemi nevojë për njëri-tjetrin.”
Lojërat Olimpike Speciale kishin për qëllim të kontribuojnë në krijimin e mundësive të barabarta për fëmijët më aftësi të kufizuara duke përfaqësuar një festim për jetën dhe shpresën./tvklan.al