Presidenti amerikan George Bush i kërkon senatit amerikan të ratifikojë sa më shpejt protokollet për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, duke vënë në dukje se këto protokolle u nënshkruan nga anëtarët e Aleancës së Veriut dhe SHBA më 9 korrik të këtij viti.

Bush shprehet se zgjerimi i NATO-s mbetet një sukses historik në pikëpamjen e zgjerimit të lirisë, stabilitetit dhe demokracisë së territorit euroatlantik.

Shqipëria dhe Kroacia shërbejnë si dy shembuj të tjerë vendesh të motivuar nga pranimi në NATO, për të çuar përpara reformat e vështira politike, ekonomike dhe ushtarake, thuhet në deklaratën e presidentit amerikan të publikuar në websiten e Shtëpisë së Bardhë.

Përpjekjet dhe suksesi i tyre shton presidenti Bush, u tregojnë vendeve të tjera të Ballkanit edhe më gjerë se dera e NATO-s është e hapur për vendet që janë të gatshme të marrin mbi vete përgjegjësitë e anëtarësimit. Jam i lumtur që me këtë kërkesë të cilën ia propozoj senatit, këto dy demokraci mund ti bashkohen shumë shpejt si anëtar të aleancës së madhe shprehet Bush./tvklan.al

Gazetare: Justina Ukaliaj